Negociatat VMRO – VLEN/ Mickoski pretendon se ka 61 deputetë – Ali Ahmeti tubon Frontin Evropian!

“Maqedonia Jote”, koalicioni që udhëhiqet nga VMRO-DPMNE-ja, fituese e zgjedhjeve parlamentare, pretendon se ka siguruar 61 mandate deputetësh. Kështu, të paktën, ka deklaruar lideri partiak Hristijan Mickoski.

Ai thotë se ka shumicën në Kuvend.

“Mund të them se si VMRO-DPMNE dhe koalicioni “Maqedonia Jote” jemi duke përfunduar negociatat me disa deputetë që nuk janë pjesë të këtij koalicioni. Me sukses kemi konsoliduar 61 deputetë. Nuk mund të flas se kush janë 3 deputetët tjerë. Si koalicion, krahas 58 deputetëve, do të kemi do të kemi 61 deputetë, por kjo nuk do të thotë se do të tërhiqemi nga negociatat me koalicionin VLEN”, tha Hristijan Mickoski.

Ndërkohë, në selinë partiake të VMRO-DPMNE-së është zhvilluar takimi mes grupeve të punës VMRO – VLEN.

“Bisedimet, sipas njoftimeve, zhvillohen në drejtim të duhur. Jemi optimist se bashkë me partnerët e koalicionit, do të arrijmë të konsolidojmë 2/3 në parlament për shkak të qëllimeve për rikonstruimin e kabinetit qeveritar”, tha Mickoski.

Para takimit, nga koalicioni VLEN paralajmëruan se ditëve në vijim do të flitet për shpërndarjen më konkrete të pozitave. Sot ëhstë biseduar vetëm për dinamikën.

“Sot do të flasim për dinamikën dhe metodologjinë e punës”, tha Azir Aliu.

Derisa Mickoski pretendon për 61 deputetë dhe nuk përmend emrat e deputetëve eventual që do të ndërrojnë “ngjyrat” partiake, përmes Facebookut është prononcuar lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

“Bashkë për fitoret e rradhës para nesh!” – thuhet në mbishkrimin e fotografisë ku shihen së bashku 8 liderët e partive që përbëjnë Frontin Evropian – Arjanit Hoxha I PDE-së, Menduh Thaçi I PDSH-së, Ziadin Sela – ASH, Skender Rexhepi – Lëvizja “Populli”, Munir Kolashinac I Partisë Boshnjake, Fatima Osmanovska nga Unioni i Romëve dhe Bejxhan Iljas nga Partia Demokratike Turke.

Ky postim i Ali Ahmetit interpretohet si përgënjështrim ndaj deklaratave të ditëve të fundit që disa deputetë të këtij Fronti mund t`i bashkangjiten koalicionit të VMRO-DPMNE-së.

Ndryshe, VMRO dhe VLEN, sipas rezultateve të zgjedhjeve kanë 71 mandate deputetësh.

Mbetet e pasigurtë nëse edhe Lëvizja “Znam” e Maksim Dimitrievskit do të bëhet pjesë e shumicës së re parlamentare./tvklan.mk

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share