Veturat me targa RKS (Republika e Kosovës) në Mitrovicë të Veriut gjatë natës janë të mbuluara me letra ngjitëse me KM (Mitrovica e Kosovës), kurse stema e Kosovës është mbuluar me atë të Serbisë.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se zyrtarët policorë kanë dalë në terren pas ankesës së një qytetari dhe kanë kryer hetime. Sipas tij, tani pritet vendimi i prokurorit për të përcaktuar nëse ka elemente për të iniciuar një rast.
Hoti tha se bëhet fjalë për një numër më të vogël të veturave, por se nuk e di numrin e saktë, pasi me gjasë, shumica, siç tha ai, as nuk kanë raportuar rastet tek autoritetet, por vetëm i kanë hequr letrat ngjitëse të vendosura në targat e veturave të tyre.
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që nga 1 gushti të mundësojë riregjistrimin e veturave që përdorin targa me qytetet e Kosovës, të cilat janë të regjistruar në Serbi, dhe kanë targa të tilla si PR (Prishtinë), KM (Mitrovica e Kosovës), UR (Ferizaj) etj. Afati për riregjistrim do të zgjasë deri më 30 shtator./REL