Në Shqipëri sot nis viti i ri shkollor 2023-2024 në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar. Për herë të parë, do të shkojnë në shkollë rreth 29 mijë nxënës ndërsa në klasat e 10-ta rreth 27 mijë.
Presidenti shqiptar Bajram Begaj u ka uruar suksese nxënësve dhe mësuesve, për të cilët thotë se puna dhe përkushtimi i tyre do të ndërtojnë Shqipërinë e së nesërmes.
“Suksese në vitin e ri shkollor për çdo nxënës, mësues dhe prind në Shqipëri, e në veçanti për të gjithë ata nxënës që hyjnë në klasë të parë! Puna dhe përkushtimi juaj i sotëm, ndërtojnë Shqipërinë e së nesërmes”, ka shkruar Begaj, raporton Abcnews.al, transmeton Klankosova.tv.
Këtë vit të ri shkollor kanë përfituar tekste falas të gjithë nxënësit e arsimit bazë nga klasë e parë deri në të 9-tën si edhe 16 kategori në nevojë, të veçanta në arsimin e mesëm.
Risi këtë vit, ashtu sikurse njoftoi edhe kryeministri Edi Rama pak ditë më parë, janë tekstet falas për nxënësit nga klasa e parë në të tretë, që do të thotë se në fund të vitit nuk do t’i dorëzojnë tekstet.
Për shkak të moshës së vogël dhe vështirësisë që kanë për t’u kujdesur mirë për librin, por se shumë tekste janë me shënime dhe kjo bëhet e vështirë që nxënësit e brezit tjetër t’i përdorin.
Gjithashtu, pak ditë më parë, ministri i Brendshëm Taulant Balla prezantoi edhe paketën e re të sigurisë për nxënësit në shkolla.