Prizreni i historisë, lavdisë, krenarisë, kulturës e traditës tuboi artëdashësit në një takimi poetik “Tetova-Poezia- Prizreni”, me poeten tetovare Sadije Aliti. Ky aktivitet letrar u realizua nga Shoqatapër kulturë dhe art “Fidani” në Prizren në sallën e SHKA “Agimi”.
Vlerësim kritik për krijimtarinë poetike të autores prezantuan: Dr.Flora Brovina, Dr.Nexhat Çoçaj, Bedri Halimi.
Berat Batiu, në moderimin e këtij takimi letrar mes tjerash theksoi:“Autorja në vëllimin poetik ”Dashuri shtegtare”, tregon një ndjenjë të fuqishme e të thellë që e lidh ngushtë me ndjenjën e nënës, me vendlindjen, me trashëgiminë kulturore të saj, për të kaluar te nuancat fine të lirikës së dashurisë, duke na paraqitur një arkë të tërë me ndjenja, nëpërmjet vargjeve ajo lidh të kaluarën me të tashmen, duke i trajtuar me shumë pasion figurat emblematike të krijimtarisë sonë popullore nga e gjithë hapësira mbarëshqiptare”.
Dr. Nexhat Çoçaj mes tjerash tha:“Duke shfletuar librat me poezi të autores Sadije Aliti, e përforcon ndjenjën e kënaqësisë për ta shijuar botën shpirtërore të çliruar nga kufijtë dhe nga prangat e mendimeve të atyre me botëkuptime se dashurisë nuk duhet t’i këndohet haptas. Të kujtojmë se edhe populli përmes këngëve erotike e ka shpalosur shpirtin e tij. Po këtë veprim përmes kësaj përmbledhje e ka bërë edhe Sadija, e cila me një stil të lartë poetik i qëndron lexuesit besnik, siç ka vepruar në përmbledhjet e mëparshme. Në poezinë e poetes, shohim se ka poezi me tematikë që ju drejtohet në mënyrë direkte njerëzve, të cilët tinëzisht mendojnë se mund t’i arrijnë qëllimet e jetës, por edhe dashurinë, pavarësisht se rruga që duhet kaluar kalon përmes një zemre të plagosur”.
Dr.Flora Brovina, në fjalimin e saje theksoi edhe njohjen e hershme me poeten, atëherë kur edhe aktivizimi dhe angazhimi për përfaqësimin e gruas në shoqëri ishte një lëvizje masovike, kontribut shumë i madh në atë periudhë, por edhe sot e kësaj dite. Poezia “Duvaku”, është një poezi me pak vargje por me shumë domethënie me një porosi shumë sublime për dashuritë e mëdha, ashtu edhe siç janë shkruar edhe shumë poezi të tjera, sepse të depërtosh në brendësinë e një shpirti të dashuruar, për të bartur dhembjen e tij deri te lexuesi që edhe ai të jetë pjesë e dhembjes, është një punë që e bën vetëm një krijues, e këtë autorja e ka dëshmuar tani më edhe në titujt e botuar në 24 sosh”.
Bedri Halimi në vlerësimin e paraqitur bëri të ditur se: ”Temë dominante në shumë krijime të poetes dhe studiueses, Sadije Aliti, është tema e dashurisë, përmes të cilave shpreh ndjenjën njerëzore të dashurisë, si p.sh. në poezinë “Kurorë dashurie”, “Ecje”, “Falma atë buzëqeshje”, “Fustani i jorgovantë” etj. Ndërkaq në vjershën “Mollët e Tetovës” spikat me vargje të skalitura ruajtjen e identitetit, nderit, njerëzores. Ndjenjën e dashurisë, autorja nuk e paraqet vetëm në aspektin e thjeshtë dhe njëdimensional, por temën e dashurinë autorja e paraqet në aspekte shumëdimensionale, ku këtu kemi të bëjmë edhe me dashurinë ndaj nënës, ku përmes vargjeve shpreh ndjenjën njerëzore të botës shpirtërore ndaj krijesës së quajtur nënë, siç e thotë në mënyrë të mrekullueshme në “Poezinë a do t’më falësh nënë” ku paraqet pendesën për dhembjen e shkaktuar ndaj nënës dhe kërkim faljen, me shpresën se zemra e madhe e nënës, do të ketë mirëkuptim”.
Autorja, personazh kryesor i këtij aktiviteti letrar theksoi:” Është një nder i veçantë që në Prizrenin e historisë e të lavdisë sonë kombëtare, para artdashësve po shpaloset krijimtaria ime letrare, në çdo vizitë në këtë qytet të bukur të kaplon një ndjenjë e veçantë, në Prizrenin e Lidhjes e bashkimit të kokave e mendjes kombëtare, faleminderit shumë Prizreni për mikpritje, për shoqërimin e bukur në këtë aktivitet letrar. Faleminderit shumë Shoqatës për art dhe kulturë “Fidani” dhe Berat Batiut për këtë organizim të shkëlqyer artistik”.
Poezi u deklamuan nga Arbëresha Berisha, ndërsa interpretim të bukur në violinë dhe piano ekzekutuan Berra Kruemali, Hira Mashkulli, nxënëse të shkollës së mesme të Muzikës në Prizren. /KlanMacedonia/