Me poezinë e Sadije Alitit në Berlin të Gjermanisë

Në ambientet e Ambasadës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në Berlin në Gjermani, në një mbrëmje artistike e letrare u organizua  takim kulturor  “Portret letrar-krijimtaria letrare e Sadije Alitit”, autore, poete, profesoreshë, gazetare, humaniste e veprimtare nga Tetova për promovimin e krijimtarisë letrare.  

Në fillim të pranishmit i përshëndeti   ambasadori i  Republikës së Maqedonisë së Veriut në Berlin Dr.Ylber Sela, i cili theksoi se në angazhimin e tij në këtë ambasadë krahas veprimtarive të tjera, kjo mbrëmje dhe ky aktivitet është  i pari në mandatin tij si ambasador, për të shënuar edhe një rrugëtim të mbarë edhe për organizime të tjera artistike, me aktivitete tjera kulturore, se ai dhe ambasada do të jenë çdo herë në mbështetje e përkrahje. Ai poetes i dhuroi një dhuratë modeste në shenjë faleminderimi për kontributin e dhënë për afimrimin e kulturës dhe gjuhës shqipe në Ballkan e më gjërë, me dëshirë që promovime të ketë edhe në qytetet tjera në Gjermani. 

Një vlerësim mbi poezinë dhe krijimtarinë letrare të poetes tetovare prezentuan Mimoza Veliu dhe Vjollca Hajdari, ndërsa poezi  në gjuhën shqipe dhe gjermane recituan Ramie Zogjani dhe Rudina Zeqiri. Aktivitetin kulturor e moderoi zonja Afërdita Suka. 

Vjollca Hajdari, në vlerësimin e saj mes tjerash theksoi: ”Sadije Aliti tanimë ka gjetur botën e saj brenda artit poetik, duke u përqëndruar kryesisht brenda një lajtmotivi dominant siç është dashuria në të gjitha format e saj njerëzore e jetësore. Kështu, dëshiroj të vë në dukje se poezinë e kësaj autoreje e përjetoj si një kronikë apo si një ditar lirik përplot me trazime e përlasje emocionale, shqetësime e shpërthime të fuqishme, gjithnjë duke nxjerrë në sipërfaqe një shkas apo një arsye, duke dhënë gjykimin e vet personal për atë që ka ndodhur në një rrethanë të caktuar apo për atë që mund të ndodhë nëse eventualisht gjërat rrjedhin sipas një dinamike të padëshiruar”. 

Mimoza Velu, u shpreh se me autoren njihen shumë moti në kohën kur edhe punonin si gazetare në Tetovë ku edhe evokoi ca copëza kujtimesh nga ajo kohë. Në vlerësimin e saj rreth poezisë së autores, mes tjerash theksoi:”Me poezinë e saj ajo na çon në një udhëtim emocional nëpër turbullirat e dashurisë, në një përqafim të shkëqyeshëm të mallit, të humbjes por edhe të kërkimit për identitet, Sadija e kap kompleksitetin e lidhjeve njerëzore në përgjithësi, poezia e saj e fton lexuesin në magjinë e saj, ajo paraqet ndryshimin e dashurisë nëpër kohë dhe kërkimin për një vend në botë, ajo përdor një gjuhë të thjeshtë por të fuqishme që i lejon lexuesit të identifikohet me ndjenjat dhe mendimet e protagonistes, me fjalët e saj ekspoloron konceptet e humbjes dhe të gjetjes së vetvetes në një mënyrë që është njëkohësisht intime por edhe univerzale”. 

Autorja, personazh kryesor i këtij aktiviteti letrar theksoi:” Është një nder i veçantë që në Berlin, para artdashësve dhe para miqve e bashkëatdhetarëve shqiptarë po shpaloset krijimtaria ime letrare, promovohet edhe poezia e përkthyer dhe botuar edhe në gjuhën gjermane. Kultura është urë ndërtuese, poezia është urë ndërlidhëse që flet e komunikon mes shteteve, ashtu siçështë edhe poezia ime e përkthyer dhe e botuar edhe në disa gjuhë. Për krijuesin është një kënaqësi nëse një lexues e ndjen dhe e sheh një pjesë të jetës së tij qoftë në një varg, strofë apo poezi”. 

Ajo shprehi një faleminderim të përzemërt për të gjithë ata që kontribuan në realizimin e këtij aktiviteti, amabasadorin e RVM-së në Berlin dr.Ylber Sela për mikëpritjen tipike shqiptare, për zonjën Afërdita Suka për moderimin e shkëlqyer të aktivitetit, për zonjën Mimoza Veliu dhe Vjollca Hajdari për vlerësimin kritik të poezisë, për zonjat Ramie Zogjani dhe Rudina Zeqiri për leximin e poezive në gjuhën shqipe dhe gjermane. 

Të pranishëm ishin krijues që jetojnë e veprojnë në Berlin,  bashkëfshatarë të autores, familjarë, bashkëatdhetarë, biznismenë nga mërgata shqiptare. 

Poezia të bëhet pjesë e gjithsecilit, të paktën duke e trazuar shpirtin dhe duke dhuruar bukuri duke u thënë në mënyrë të bukur poetike.

.

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share