Në Prishtinë ndizen qirinj për nxënësit e vrarë në Beograd

Në shkallët e Teatrit Kombëtar të Kosovës në Prishtinë janë ndezur qirinj në nderim të 8 nxënësve dhe rojës së një shkolle në Beograd, të cilët u vranë të mërkurën, me armë zjarri nga një nxënës i mitur.

Homazhet u bënë në hapje të Festivalit “Mirëdita, Dobar dan!”, ndërsa atyre iu bashkua dhe ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq.

Të mërkurën, një 13-vjeçar hapi zjarr në shkollën e tij në kryeqytetin serb, duke vrarë tetë nxënës dhe një roje përpara se të arrestohej. Në këtë ngjarje që ka tronditur Serbinë, janë plagosur edhe 6 nxënës dhe një mësuese.

Festivali, po ashtu, nisi me një minutë heshtje në nderim të viktimave të djeshme në Beograd.

I themeluar në vitin 2014, si ngjarja më unike në Prishtinë e Beograd, festivali “Mirëdita, dobar dan!”, qëllim kryesor ka krijimin e lidhjeve të reja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes prezantimit të kulturave respektive.

Edhe drejtuesit e institucioneve të Kosovës u kanë shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave. /EO

Lexo gjithashtu
Total
0
Share