Nesër mbushen plot 20 vjet prejse Universiteti i Tetovës luftoi me vendosmëri stoike me aparatin shtetëror për ta pasur edhe Fakultetin e Kulturës Fizike.
Pasi aparati shtetëror pati qëndrim destruktiv dhe dashakeq, një grup studentësh dhe profesorësh, duke mos e pranuar asnjë alternativë tjetër dhe duke mos u pajtuar me kinse “zgjidhjen” e problemit të këtij fakulteti, e ngritën zërin dhe e shfrytëzuan të drejtën demokratike për të hyrë në grevë urie.
Ky rrëfim mbështetet te një galeri personazhesh, ku merr formë historia e idealistëve.
Rrallë mund të ketë mishërim kaq të fuqishëm të luftës dhe të fitores.
Historia e Fakultetit të Kulturës Fizike, pa mëdyshje, i ka kaluar të gjitha caqet e parafytyrimit tim dhe sot, teksa i shoh arritjet dhe kuadrot e reja, unë e kuptoj që sakrifica gjithmonë ia vlen.
Pikërisht më 29 qershor 2004, pra dy dekada më parë, në një kohë kur vendi ynë përballej me sfida të mëdha dhe trazira, ky grup idealistësh guximtarë dhe me vizion, vendosën të ndërmerrnin një hap të madh – kontestimin e vendimit të padrejtë për ta futur Fakultetin e Kulturës Fizike nën ombrellën e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”.
Kjo nuk ndodhi falë vendosmërisë dhe paradigmës morale nga e cila jemi udhëhequr gjithmonë.
Ky episod gati tragjik i copëtimit të Universitetit të Tetovës dhe të Fakultetit të Kulturës Fizike e ndryshoi rrjedhën dhe kahen e historisë.
E keqja nuk ndodhi falë atij brezi që e kuptoi se i ra barra e riorientimit moral të këtij institucioni, prandaj ky moment dhe kjo ditë e paraqet kulmin e përpjekjeve të shumta, pasionin e pashtershëm dhe besimin e palëkundur në rëndësinë e edukimit, sepse gjërat nuk zbresin nga lartë dhe nuk janë aty ku janë, pa pasur një dorë të zgjatur që i lëviz pllakat deri sa të marrin formën përkatëse.
Ky mozaik historish, rrëfimesh, deklaratash, personazhesh më bën të kuptoj se vetëm bashkimi e bën fuqinë dhe kur njerëzit lidhen për misionin e përbashkët si pikat nevralgjike.
Kjo frymë solidariteti dhe bashkimi, që i reziston kohës, edhe sot e dëshmon sinqeritetin dhe përpjekjen sublime të secilit nga ne për ta themeluar, formësuar dhe për ta ngritur këtë fakultet.
Sot, ky fakultet me histori të jashtëzakonshme mbush plot 20 vite, 20 vite lëvizje, 20 vite përpjekje dhe angazhim për të lënë gjurmë të thëllë në historinë e kësaj vatre të rëndësishme arsimore dhe shkencore.
Janë të rralla ngjarjet kur turma flet me një zë, Fakulteti i Kulturës Fizike është një nga ato ngjarjet.
Në këtë ditë të veçantë dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë ata që ishin pjesë e këtij rrugëtimi sfidues, të vështirë dhe me rriske, por shumë të vlefshëm për brezat që pasojnë.
Faleminderit për përkushtimin, pasionin dhe besimin tuaj në misionin për mbrojtjen e Fakultetit të Kulturës Fizike!
Studentët e atëhershëm dhe kolegët e tanishëm janë zemra dhe shpirti i këtij fakulteti.
Atëbotë ata i dhanë jetë fakultetit me praninë, përkushtimin e pashoq dhe rezistencën e tyre, kurse sot i japin jetë me dije dhe profesionalizëm.
Gëzuar jubileun e 20-të Fakultetit të Kulturës Fizike të Universitetit të Tetovës!
Prof. Dr. Vullnet Ameti/tvklan.mk/