Të shtënat masive shkundën pasditen e 21 dhjetorit njërin nga vendet më të sigurta në botë. Me 14 njerëz të vrarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur, Praga e Çekisë u bë kryelajm.
“Kemi menduar gjithmonë se kjo është një gjë që nuk na shqetëson neve”, tha kryetari i kryeqytetit me 1.3 milion banorë, Bohuslav Svoboda.
“Tani duket se, për fat të keq, edhe bota jonë po ndryshon”, tha ai.
Fakulteti i Arteve i Universitetit të Karlit, ku sulmuesi qëlloi me breshëri plumbash, gjendet në zemër të Pragës historike – vetëm pak minuta në këmbë nga sheshi i Qytetit të Vjetër në njërën anë dhe nga Ura ikonë e Karlit në anën tjetër.
Zona është një atraksion i madh turistik, me mijëra vizitorë që në këtë kohë shijojnë tregjet e njohura të Krishtlindjeve. Të dyshuarin për vrasje në hapësirat e universitetit, policia çeke e identifikoi si 24 vjeç, vetë student në Fakultetin e Arteve, dhe tha se ai u “eliminua”.
Sipas shefit të policisë, Martin Vondrashek, sulmuesi kishte leje armësh dhe posedonte disa të tilla./REL