Në këtë banesë u mbajtën peng 23 persona për 10 mijë euro

Vetë transportimi i emigrantëve të paligjshëm përbën vepër penale. E nëse këta emigrantë i merr e i mban peng dhe i vjedh me dhunë, situata bëhet edhe më serioze. Në fakt, nuk bëhet fjalë për një skenar filmi, por për një ngjarje të ndodhur në Korçë, aty ku 3 persona, transportuan kundrejt fitimit 23 emigrantë të paligjshëm, i vodhën me dhunë dhe më pas i mbajtën në një banesë të braktisur duke u hequr lirinë, në këmbim të 10 000 eurove. E jo vetëm kaq, por kur policia iu vu nga pas, njëri prej trafikantëve nuk iu përgjigj urdhrit për të ndaluar. Megjithatë në përfundim të tre ranë në pranga. Në një njoftim për mediat, policia e Korçës tha se të arrestuarit janë Kristiano Ajasllari 38 vjeç, banues në fshatin Bregas, Maliq; Adri Levendi 24 vjeç, banues në Vlorë; Esli Levendi 23 vjeç, banues në Tiranë.

“Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, se në fshatin Bregas, Maliq, disa shtetas po mbanin në një banesë të braktisur emigrantë të paligjshëm pa vullnetin e tyre, organizuan veprimet dhe bënë të mundur lokalizimin e banesës në këtë fshat. Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë ambient u gjetën 23 emigrantë të paligjshëm. Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe provat e siguruara, rezultoi se tre shtetasit e mësipërm në bashkëpunim mes tyre kishin transportuar shtetasit e huaj me një automjet tip furgon dhe më pas i kishin fshehur ata tek banesa e braktisur, ku nëpërmjet kërcënimit ju kishin vjedhur celularët e tyre. Në këmbim të lirisë së tyre autorët ju kishin kërkuar emigrantëve 10.000 euro”.

Falë ndërhyrjes së shpejtë të Policisë u bë e mundur kapja e Kristiano Ajasllarit dhe Adri Levendit të cilët u konstatuan në fshatin Bregas, me automjetin tip furgon me të cilin kishin transportuar 23 emigrantët me qëllim kalimin e paligjshëm të tyre drejt vendeve të BE-së. Adri Levendi sapo ka konstatuar se ishte në ndjekje nga Policia, ka tentuar të largohet me shpejtësi duke mos iu bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar, por menjëherë është kapur dhe neutralizuar. Gjithashtu shërbimet e Policisë kapën edhe shtetasin Esli Levendi i cili po lëvizte me një automjet tip “Audi”, gjatë kontrollit të të cilit u gjet një shkop metalik i ngjashëm me atë të policisë. Në kuadër të këtij operacioni në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 automjete, 3 aparate celulare, 1 shkop metalik dhe sasi në lekë dhe euro”, thuhet në një njoftim të policisë së Korçës./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share