Në kërkim të tre anëtarëve të familjes Pacolli – Vazhdon aksioni i kërkimit në lumin Lepenc

Prej orës 15 të ditës së shtunë kur u raportua për aksidentin në rrugën Shkup – Bllacë, me çka një veturë me targa të Kosovës kishte rënë në rrjedhën e lumit Lepenc, vazhdojnë kërkimet për gjetjen e tre udhëtarëve, informon KlanM.

Që nga momentet e para të aksidentit, ekipi i Klan Macedonia ndodhet në terren për të raportuar për të rejat e fundit.

Katër anëtarë të familjes Pacolli nga Prishtina ishin brenda automjetit të rënë në lumë, ndërsa vetëm njëri prej tyre, 20 vjeçari Shkëlqim Pacolli kishte arritur mrekullisht të hidhet nga vetura, të cilën po e merrte lumi.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Aksioni për kërkimin e tre anëtarëve tjerë vazhdoi deri rreth orës 2 pas mesnate, kur për shkak të kushteve të vështira dhe dukshmërisë së ulët, u ndërpre përkohësisht, për të filluar më pas prej orës 6 të mëngjesit.

Në aksion marrin pjesë ekipet të shpëtimit nga Ushtria dhe Policia e Maqedonisë, ekipe zjarrfikësish, vullnetarë nga ShZ “Bajram Miftari” nga Çairi si dhe ekipe nga Forcat e Sigurisë së Kosovës, që iu bashkuan mëngjesin e sotëm ekipeve nga Maqedonia.

Informatat e fundit të raportuara nga gazetari i Klan Macedonia, Furkan Saliu, janë se ekipet e FSK-së me barka gome, kishin arritur të detektojnë një vend të ngushtë ku lumi ndahet në dy pjesë. Dyshimet janë se në atë pjesë nuk ka mundësi të kalojë një objekt në madhësinë e automjetit të aksidentuar. Prandaj edhe kërkimet janë përqëndruar në atë zonë, me shpresë se do të gjendet vetura dhe tre personat brenda saj.

Gjatë ditës së djeshme në vendngjarje ishte edhe Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme në Kosovë, i shoqëruar nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme në Maqedoni, Nazim Bushi. Sipas informacioneve, dy zyrtarët janë marrë vesh për koordinim dhe ndihmë të ndërsjellë në aksionin e kërkim-shpëtimit në Lepenc.

Informatat e verifikuara deri tani janë se shkaku i rënies në lumë të automjetit nga Kosova, ka qenë aksidenti rrugor ku ka qenë e përfshirë edhe një veturë me targa të Shkupit, por nuk jepen detaje të hollësishme se si ka ndodhur dhe kush ka qenë shkaktari i aksidentit, përcjell KlanM.

“Sot (17.06.2023) rreth orës 15:00 është raportuar se në aksin rrugor Shkup- V.K. Bllacë ka ndodhur një aksident trafiku në të cilin është përfshirë automjeti i udhëtarëve ‘Volkswagen’ me targa të Shkupit i drejtuar nga B.B. nga Shkupi dhe automjeti i pasagjerëve BMW me targa të Kosovës, i drejtuar nga N.P. nga Kosova, që pas aksidentit ka rënë në lumin Lepenc. Në automjetin BMW, përveç drejtuesit, ndodheshin edhe tre pasagjerë. Një person është nxjerrë nga lumi dhe është transportuar në spitalin ‘8 Shtatori’, ndërsa vazhdojnë kërkimet për tre personat të tjerë”, thanë nga MPB mbrëmjen e të shtunës.

Sipas raportimeve të gazetarit Furkan Saliu, i mbijetuari i kësaj fatkeqësie, 20 vjeçari Shkëlqim Pacolli ka dhënë dëshminë e tij në prokurori dhe polici në Shkup. Ai ka treguar se kishte arritur të dalë nga vetura rreth 30-40 metra nga vendi i ngjarjes, teksa veturën e kishte marrë lumi i rrëmbyeshëm, si pasojë edhe i reshjeve të mëdha të shiut të ditëve të fundit./KlanMacedonia

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share