Serbia e ka humbur betejën me Kosovën në vitin 1999 dhe ka ikur nga Kosova “me bisht ndër shalë”. Kështu i komenton analisti nga Kosova, Gazmir Raci deklaratat e presidentit serb Vuçiq, i cili theksoi se Serbia ka dislokuar forca ushtarake në disa pozita në kufi me Kosovën.
“Ato kërcënime ai mund t’ia shesë vetëm popullit serb. Ne nuk kemi sulmuar askënd. Ne jemi në shtëpitë tona dhe nëse na rrezikohet vendi ynë, ne përsëri do ta mbrojmë. Por unë shpresoj se nuk do të kemi më nevojë që të përdorim forcën për t’u mbrojtur”, tha Raci në edicionin e lajmeve në KlanM me gazetarin Zekirja Mexhiti.
Kosova, sipas Racit, nuk ka nevojë të negociojë me askënd për çështjen e veriut, por duhet ta shtrijë sovranitetin në këtë pjesë të territorit të saj.
“Zhvillimet e fundt në veri janë zhvillime pozitive sepse e ndryshuan ‘status quo’-në gati mbi 20 vjeçare në atë pjesë”, tha mes tjerash analisti Gazmir Raci.
Sipas Racit, dy ditë më herët nuk kishte pasur trazira në veri të Kosovës, por të njejtat filluan me rikthimin e bandave kriminale, që sipas tij erdhën pas mitingut të famshëm të Vuçiqit në Beograd./KlanMacedonia