Rishi Sunak, më i pasur se Mbreti Chales III, është i pari kryeministër me ngjyrë që do të drejtojë Britaninë e Madhe
Në Downing Street 10 vjen kryeministri i ri. Ai është Rishi Sunak, ish-ministër i financave në qeverinë e Johnsonit. Shumica e konservatorëve mbështetën kandidaturën e Sunak. Kryeministri i 57-të i Mbretërisë së Bashkuar është më i pasur se Mbreti Charles III dhe më i ri se çdo paraardhës. Rishi Sunak do të jetë gjithashtu personi i parë me ngjyrë i Mbretërisë së Bashkuar që do të udhëheqë vendin dhe kryeministri i parë hindu.
Sunak lindi në Southampton në vitin 1980 nga prindër indianë që ishin zhvendosur në Britani nga Afrika Lindore. Babai i tij ishte mjek i përgjithshëm dhe nëna e tij drejtonte farmacinë e saj. Më i madhi nga tre fëmijët, Sunak u arsimua në një shkollë private, Winchester College, e cila kushton 43 mijë paund në vit për të ndjekur. Sunak vazhdoi të studionte politikë, filozofi dhe ekonomi në Universitetin e Oksfordit.
Ai u martua me Akshata Murthy, vajza e miliarderit indian Narayana Murthy dhe sipas The Sunday Times, pasuria e çiftit është rreth 730 milionë funte, dyfishi i pasurisë prej 350 milionë paund të mbretit Charles III dhe Camilla. Ata zotërojnë katër prona me vlerë më shumë se 15 milionë paund.
Sunak u zgjodh për herë të parë si deputet në 2015, por u ngrit në karrierë shumë shpejt dhe u bë ministër i financave në Shkurt 2020. Rruga e Sunak për të arritur të bëhet kryeminstër nuk ka qenë aq e lehtë. Pas humbjes nga Liz Truss në një votim të anëtarëve të konservatorëve më 5 Shtator, ai pritej të largohej nga politika, por një plan ekonomik për uljen e taksave nga Liz Truss e riktheu edhe njëherë në vëmendje figurën e tij.
Gjatë fushatës kundrejt Liz Truss ai bëri fushatë për Brexit ku përdori sloganin “Portet e lira” ku zonat pranë porteve apo aeroporteve mallrat mund të importohen dhe eksportohen pa paguar taksa, për të nxitur tregtinë. Rishi mendon se përmbushja e një objektivi për të reduktuar borxhin kombëtar është më i rëndësishëm sesa shpëtimi i njerëzve nga varfëria. Pa zgjerimin fiskal sipas tij dhe garancinë e çmimit të energjisë, inflacioni do të jetë më i lartë dhe recesioni më i thellë.
Daily Mail e quan fitoren e Sunak “një agim i ri për Britaninë” pas javëve të trazirave brenda Partisë Konservatore. Gazeta thotë se fitorja e tij lajmëron fillimin e”luftës kundër konservatorëve. Daily Mirror ka një qasje paksa të ndryshme teksa ngre pyetjen “Kush votoi për ju, për t’u bërë lideri i ri i Partisë Konservatore”?
Klan News