Ndryshimi i kodit zgjedhor / Pandovski: Pa kod të ri zgjedhor nuk do të ulet korrupsioni!

Kryetari i Transparency International Maqedoni, Bllagoja Pandovski thotë se, pa Kod të ri Zgjedhor nuk do të reduktohet korrupsioni. Edhe pse grupi i punës ka përgatitur ndryshimet e Kodit Zgjedhor, ligji nuk është votuar në Kuvend. Pandovski, në intervistë për REL, tha se ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhet të bëhen sipas rekomandimeve të ODIHR-it, pasi ato ishin kyçe për segmente të caktuara që procesi zgjedhor të përmirësohet.

“Mosvotimi i këtij Kodi Zgjedhor në përputhje me udhëzimet e ODIHR-it gjithsesi se paraqet pengesë të madhe që të reduktohen veprimtaritë korruptuese gjatë kohës së zgjedhjeve. Madje, edhe tani po të miratohet ligji, nuk do të ketë kohë që të zbatohet, sepse për të gjitha ndryshimet e ligjit, për çështjet që i përmendëm, duhet dikush të trajnohet dhe të njihet që ato të mund të zbatohen në praktikë. Mendoj se mosmiratimi i këtij ligji deri më tani, është me të vërtetë pengesë e madhe për zbatimin e këtyre rekomandimeve” – tha Pandovski.

Duke folur për raportin e fundit të Transparency International, Pandovski tha se, edhe përkrah faktit që në indeksin e perceptimit të korrupsionit që publikoi kjo organizatë, kishte një përparim sa i përket rangimit dhe vendi kishte 42 pikë, megjithatë, ai thotë se çdo rezultat nën 50 pikë konsiderohet një luftë e humbur kundër korrupsionit.

Sipas tij, Maqedonia e Veriut, është ende në listën e vendeve që luftojnë dobët kundër korrupsionit dhe kishte mjaft rekomandime në vetë raportin, i cili ishte mjaft i gjerë. Megjithatë, shtoi ai, asnjë nga këto rekomandime, qoftë edhe këto rezultate, nuk kanë efekt në opinionin politik për të rritur këtë luftë kundër korrupsionit. /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share