Ndryshimet Kushtetuese: Nesër takohen Kovaçevski – Mickoski

MEMETI: OPOZITA JOSERIOZE, NUK KA QËLLIM TË ARRIJË KOMPROMIS

Propozim iniciativa për ndryshimet kushtetuese pritet që të dorëzohet në Kuvend kah mesi i këtij muaji, pas çka edhe zyrtarisht do të fillojë rrjedhja e afateve ligjore për miratimin e këtyre ndryshimeve, njofton KlanM.

Por, edhe pse shumica qeveritare, ka filluar procedurat për ndryshimet kushtetuese, ata ende nuk kanë siguruar numrat e nevojshëm për kalimin e tyre.

VMRO – DPMNE vazhdon të kundërshtojë këto ndryshime. E pikërisht për këtë, sic njofton KlanM, kryeministri Dimitar Kovaçevski ka thirr në takim të mërkurën, liderin opozitar, Hritisjan Mickoski.

Sipas analistit politik, Ibrahim Memeti, qasja e opozitës maqedonase, e cila nga njëra anë dëshiron takim dhe nga ana tjetër kundërshton ndryshimet kushtetuese, është joserioze dhe kjo sipas tij, flet se nuk ka qëllim gjetjen e një kompromisi.

“Ky refuzim dhe fakti që deputetët e VMRO-së i deponuan nënshkrimet e tyre se, nuk do të votojnë në favor të ndryshimeve të kushtetutës, mendoj se situatën e bën mjaft të komplikuar dhe prandaj nuk shoh se ka ndonjë hapësirë të madhe për ndonjë kompromis pozitiv” – tha Ibrahim Memeti, analist.

Në tavolinën e bisedimeve, me kërkesë të Mickoskit, nuk do të jenë liderët politik shqiptar. Memeti, sic njofton KlanM, vlerëson se kjo nuk është mirë, megjithatë, e kupton si marrëveshje mes partnerëve të pushtetit që në atë takim, të përfaqësohen nga Kovaçevski.

“Kjo është temë shumë serioze dhe mendoj se është e domosdoshme që edhe shqiptarët të marrin pjesë, aq më tepër që, tani është moment i mirë që të shfrytëzohet rasti që të bisedohet edhe 20%, por këto përgjigje duhet t’i japin partitë sepse, ata e dinë më së miri se pse dhe si” – tha Memeti.

E nga ana tjetër, edhe lideri i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, mbrëmë në Klan Debat tha se për to, ky takim është i pranueshëm duke përmendur faktin se, edhe liderët shqiptar në të kaluarën kanë realizuar takime të formatit të tillë.

“Përderisa ai takim bëhet dhe sigurisht që ne besojmë që do të flitet për interes të shtetit dhe avancimit të rrugëtimit të RMV drejt BE-së, për ne është i pranueshëm” – deklaroi Bilall Kasami.

Kjo është hera e dytë që dy liderë maqedonas, të takohen për të diskutuar tema me rëndësi për shtetit, pa pjesëmarrjen e faktorit politik shqiptar. Ai i pari, sic njofton KlanM, u realizua në mars të vitit 2021, ku Miskoski dhe ish kryeministri Zoran Zaev, u morën vesh për mbajtjen e regjistrimit të popullsisë. /KlanMacedonia/

Përgatiti: Teuta Buçi

Lexo gjithashtu
Total
0
Share