Kryeparlamentari Afrim Gashi gjatë një interviste për Agjencinë e Lajmeve – MIA nuk ka mundur të jep një përgjigje konkrete nëse deri në fund të dhjetorit do të fillojë ose jo procedura për ndryshime kushtetuese, në kontekst të hapjes së negociatave me BE-në.
Ai zotohet se kur të ketë progress rreth kësaj cështjeje, do të njoftohet dhe se menjëherë do të nis procedurën, e cila sipas tij ka dy komponenta – procedurale dhe vullnet politik.
“Kuvendi bashkë me shërbimet dhe me Komisionin është gati në çdo kohe kur të ketë propozim për ndryshime kushtetuese që t`I vendos në rend dite dhe me këtë të nis procedura dhe të përfundojë konform Kushtetutës dhe Rregullores. Pjesa e dytë ka të bëjë me vullnetin politik dhe kjo është cështje e aktorëve politik, liderëve të partive politike, të shumicës ose të 2/3 të deputetëve që duhet t`i miratojnë këto ndryshime dhe për këtë unë nuk jam përgjegjës të përgjigjem”, deklaroi Gashi.
Kryeministri Mickoski, lidhur me propozimin e fundit që e bëri publike për ndryshimet kushtetuese me veprim të anuluar, tha se do të pritet që fillimisht të formohet Qeveria e re në Bullgari, kurse më pas propozimi do të dorëzohet në Kuvend.
Ai, lidhur me kërkesa tjera eventuale në rrugën drejt BE-së, është shprehur se nuk do të bëhet asnjë hap pa patur një fund të qartë. /tvklan.mk