OSMANI: ANGAZHOHEMI PËR MARRËVESHJE GJITHËPËRFSHIRËSE PËR KONFLIKTIN NË RAJON
Moldavia kërkon ndihmë nga OSBE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me rajonin e saj të shkëputur Transdnistria, i cili është nën kontrollin rus, por edhe avancim të të drejtave të njeriut në rajon. Këto pritshmëri Zv/Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Niku Popesku, sot në Kishinjev i ka shprehur në konferencën e përbashkët për shtyp me kryesuesin e OSBE-së dhe shefin e diplomacisë së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani. Presidentja e Moldavisë dje ka theksuar se Rusia përgatit grusht shteti në vend dhe rrëzimin e autoriteteve proevropiane.
Pothuajse një vit pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë, Republika e Moldavisë është një tjetër shtet i këtij rajoni, të cilit po i rrezikohet siguria nga ana e Rusisë. Pas publikimit të informatave se Rusia po planifikon një puç në Moldavi, kryesuesi me OSBE-në, Bujar Osmani, i cili po zhvillon vizitë zyrtare në këtë shtet, bëri thirrje që të gjitha shtetet të respektojnë parimet e OSBE-së, duke siguruar se ky mision do të bëjë gjithçka për të ruajtur paqen.
“Është e rëndësishme që të gjitha vendet që, unë do ta quaja, të gjitha shtetet pjesëmarrëse të respektojnë dhe mbështetin parimet e OSBE-së në marrëdhëniet mes shteteve. OSBE do të ndihmojë Moldavinë, siç e ka ndihmuar në pothuajse 30 vitet e fundit, në çdo mënyrë të mundshme, në kuadër të mandatit të saj për përforcimin e demokracisë dhe paqes afatgjate” – tha Bujar Osmani.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri moldav dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Integrimeve Evropiane të Moldavisë, Niku Popesku, gjatë konferencës së përbashkët me Osmanin, tha se Republika e Moldavisë kanë qenë të paralajmëruara për këto skenare nga Rusia, por nuk ka nevojë për panik, pasi institucionet po e bëjnë punën si duhet.
“Fatkeqwsisht, ne duhet të themi në këtë aspekt se Moldova është në një zonë shumë të rrezikshme gjeografike. Së shpejti do të bëhet një vit nga fillimi i agresionit rus. Gjatë këtij viti kemi pasur vështirësi të caktuara. Në kemi qenë të paralajmëruar për këto rreziqe, jemi të gatshëm për skenare të planifikuara. Po e monitorojmë me kujdes situatën, nuk ka nevojjë për panik” – tha Nikola Popesku, zv/kryeministër i Moldavisë.
Presidentja e Moldavisë, Maja Sandu njoftoi në një konferencë për shtyp, të hënën, më 13 shkurt, se Rusia planifikon të përdorë sabotues të huaj për të rrëzuar udhëheqjen e vendit të saj, për të ndalur anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe ta përdor këtë në luftën kundër Ukrainës. Por, Rusia ka hedhur poshtë këto akuza, duke fajësuar Ukrainën për nxitjen e tensioneve midis Rusisë dhe Moldavisë, duke thënë se Kievi po përpiqet ta tërheqë Moldavinë “në një konfrontim të rëndë me Rusinë”. /KlanMacedonia/
Përgatiti: Teuta Buçi