Është kthyer në Shqipëri ekipi i kërkim-shpëtimit që i erdhi në ndihmë Turqisë pas tërmetit tragjik të 6 Shkurtit.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi shpreh mirënjohjen e tij për 3 ekipet e vajzave dhe djemve nga Forcat e Armatosura, Emergjencat Civile dhe ekipet shëndetësore që kontribuan në Turqi për 11 ditë në operacionet e kërkim-shpëtimit.
“Krenari dhe mirënjohje pafund për 3 ekipet e vajzave dhe djemve nga Forcat e Armatosura, Emergjencat Civile dhe ekipet shëndetësore që kontribuuan përgjatë 11 ditëve në operacionet e kërkim-shpëtimit në zonat e shkatërruara nga dy tërmetet e fuqishme në Turqi. Ata u nisën për t’u kthyer në Atdhe, duke marrë me vete edhe respektin e popullit turk, që njëherësh është vlerësim për Shqipërinë tonë. Të gatshëm dhe solidarë sa herë të jetë nevoja për kontributin tonë!”, shkruan Peleshi në Facebook.
Pas 11 ditësh pune intensive, rreth 85 trupa, në përbërje të të cilëve ishin efektivë të Forcave të Armatosura, të Emergjencave Civile, ekipeve shëndetësore janë përcjellë me duartrokitje nga përfaqësues të autoriteteve turke, por edhe qytetarë të thjeshtë, të cilët u shprehën mirënjohjen për kontributin e tyre. Momenti i përcjelljes së trupave shqiptare është transmetuar edhe nga agjencia turke e lajmëve IHA (Ihlas Haber Agency).
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ekipet kanë nxjerrë 26 persona nga rrënojat, mes tyre edhe të mbijetuar.
Kujtojmë se vendi ynë iu përgjigj menjëherë thirrjes për ndihmë të Turqisë pas tërmetit shkatërrimtar. /tvklan.al