Një adoleshent rom që u qëllua në kokë nga policia greke pasi u largua nga një karburant pa paguar, ka ndërruar jetë.
16-vjeçari ishte në gjendje kritike për jetën pasi një polic hapi zjarr ndërsa e ndiqte nëpër qytetin e Selanikut, raporton “BBC”.
Mjekët në spitalin e Hipokratit thanë se djali vdiq në orën lokale 10:10. Polici i përfshirë është arrestuar dhe ndodhet nën hetim.
Ngjarja është hallka më e fundit e një zinxhiri incidentesh të ngjashme në Greqi që ka rindezur debatin për dhunën policore në vend.
Në incidentin e fundit të javës së kaluar, adoleshenti u akuzua për furnizimin e automjetit të tij me naftë dhe u largua pa paguar një faturë prej 20 Eurosh. Filmimet e publikuara të martën shfaqën 4 policë që ndodheshin brenda karburantit në atë kohë.
Djali ia mbathi ndërsa policët iu vunë nga pas hipur mbi motoçikleta, teksa oficeri 34-vjeçar hapi zjarr pasi adoleshenti e drejtoi mjetin drejt tyre me qëllimin për t’i përplasur.
Sipas mediave vendase, ai ndodhet në arrest shtëpie duke pritur një vendim gjyqësor nëse duhet të dënohet apo jo. Polici është paraqitur më parë në gjykatë për tentativë vrasjeje ndërsa mbi të rëndojnë dhe akuza të tjera./tvklan.al