“Ndërkombëtarët të ndalojnë së përkëdheluri Serbinë” – Vjosa Osmani: Nuk mund të pritet diçka ndryshe nga njerëz që i kanë shërbyer Millosheviqit

Nuk mund të pritet diçka ndryshe nga njerëzit që i kanë shërbyer regjimit të Millosheviqit dhe kurrë nuk kanë kërkuar falje për krimet në Kosovë e Bosnjë. Ky është konstatimi i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila bëri thirrje që bashkësia ndërkombëtare të shtojë presionin e të mos vazhdojnë me përkëdheljet, si në këto 11 vite të dialogut, përcjell Klan Macedonia.

“Për këto 11 vite të dialogut është provuar përkëdhelja, vazhdimisht në raport me Serbinë dhe po i shohim rezultatet. Diku mbi 50% të marrëveshjeve që Serbia i ka nënshkruar në Bruksel nuk i ka zbatuar kurrë dhe meqënëse kanë arritur të dalin lehtë nga një situatë e tillë sepse askush nuk ua kërkon zbatimin, ata po e bëjnë të njejtën gjë edhe tani në Marrëveshjen e Ohrit”, tha Osmani.

Për hir të paqes dhe stabilitetit në rajon, sipas Osmanit, qasja e ndërkombëtarëve ndaj Serbisë duhet të ndryshojë. Serbia, sipas saj, shfrytëzon serbët në Kosovë dhe Bosnjë si mjet për të minuar sovranitetin e këtyre shteteve.

“Historia dëshmon që akomodimi i autokratëve asnjëherë nuk ndihmon, përkundrazi i inkurajon ata që të bëjnë më shumë shkatërrim, më shumë sulme ndaj të tjerëve dhe besoj është e qartë për të gjithë që në Serbi ekziston një regjim autokratik, që në radhë të parë s’i respekton të drejtat e qytetarëve të vet, në radhë të dytë bën presion të jashtëzakonshëm mbi serbët në Kosovë, serbët në Bosnje dhe tenton që t’i mbajë peng ata, duke i shfrytëzuar si mjet për të minuar pavarësinë dhe sovranitetin tonë”, deklaroi presidentja, Vjosa Osmani në Klan Debat me Xhumadije Ibrahimin./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share