Pritet të ofrojnë një propozim të ri për dialogun
Pas sulmit të Banjskës, pesëshja evropiane dhe amerikane sërish në përpjekje për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, ka gjasë të ofrojnë një propozim të ri gjatë vizitës së tyre në Kosovë e Serbi këtë fundjavë.
Kryeministri Albin Kurti ka përmendur faktin se siguria është prioritet.
“Unë mund të them se nuk mund të kemi normalizim pa siguri.”
Ndërsa thotë se për shkak të Serbisë, nuk janë zbatuar marrëveshjet e Brukselit e Ohrit.
“Nuk është Kosova ajo që duhet të ketë masa ndëshkuese, por është Serbia ajo të cilës duhet t’i vendosen sanksionet.”
Njohësi i çështjeve politike, Arton Demhasaj beson se kryetemë e diskutimeve është zbatimi i marrëveshjes së Brukselit.
“Eventualisht, besoj se ka për të qenë temë diskutimi dhe mbajtja e zgjdhjeve lokale në 4 komunat veriore. Prapë se prapë, kryetema ka për të qenë zbatimi i marrëveshjeve të arritura më herët mes 2 palëve.”
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciç, ditë më parë nga Pekini tha se është i njoftuar me një plan të pesëshes euroamerikane lidhur me zbatimin e marrëveshjeve, por nuk i di detajet.
Tv Klan