SHËNIMI I 4 SHKURTIT KALOI PA INCIDENTE
Në kushte të forcave të shumta policore, sot në Shkup u shënua 151-vjetori i lindjes së revolucionarit Goce Dellçev, figurë për të cilën edhe populli maqedonas edhe ai bullgar pohojnë se është pjesë e historisë së tyre kombëtare. Presidenti i shtetit dhe delegacioni qeveritar kanë vendosur lule në varrin e Dellçevit, që në orët e para të mëngjesit, ndërsa sot pasdite në kishën e Shën Spasit pritet të mbërrijnë edhe rreth 100 Bullgarë, rruga e të cilëve drejt Shkupit u anulua për dy-tri orë, aq sa zgjati “problemi teknik” me sistemin kompjuterik në kufi.
Kalaja e Shkupit dhe Çarshia e Vjetër që herët në mëngjes në rreze të gjërë u siguruan nga policia, forca speciale me automjete të blinduara dhe civilë, ndërsa mbi zonë fluturonte edhe helikopteri i policisë. Tensionet në marrëdhëniet maqedonase-bullgare, gjatë javëve të fundit, të provokuara nga deklaratat nacionaliste dhe përleshjet fizike, kanë hedhur hije në 151-vjetorin e lindjes së Goce Dellçevit, të cilin edhe Bullgarët edhe Maqedonasit e konsiderojnë “heroin e tyre”. Delegacionet shtetërore maqedonase së pari u përkulën te varri, ndërsa u drejtuan përmes rrjeteve sociale.
“Në nder të revolucionarit maqedonas dhe heroit kombëtar, sot vendosa lule në vendprehjen e tij të përhershme.” – tha Stevo Pendarovski.
“Qetë dhe në mënyrë dinjitoze, siç i ka hije vizonarit të madh, botëror dhe frymëzuesit të veprës dhe shtetësisë revolucionare maqedonase, Goce Dellçevit, sot kemi dhënë nderimet tona.” – deklaroi Dimitar Kovaçevski.
Mbetjet mortore të Goce Dellçevit, që kur në vitin 1946 u dorëzuan nga Bullgaria, prehen në oborrin e Kishës Shën Spasi në Shkup .
Me dekada të tëra 4 Shkurti shënohej në mënyrë të qetë. Por “beteja” për figurën dhe veprën e Goce Dellçevit u ndez pas nënshkrimit të Traktatit të Miqësisë në vitin 2017 dhe vetos Bullgare për rrugën evropiane të vendit. /KlanMacedonia/
PËRGATITI: BILJANA GEORGIEVSKA