Presidentja Vjosa Osmani deklaroi në selinë e NATO-s që Rusia ka ngritur pranë kufirit kosovar një qendër spiunazhi ndërsa Serbia ka 48 baza aktive ushtarake.
Sipas Osmanit Kosova po përjeton ndërhyrje të paligjshme të huaja dhe cenim të autoritetit të saj legjitim në veri.
“Kosova bashkë me rajonin rrezikojnë që të bëhen pikë e ndezjes së konflikteve, për shkak të keqdashjes ruse dhe agjendës destablizuese të duarve të zgjatura të Serbinë. Që të jem e qartë, veriu i Kosovës ka qenë dhe do të jetë pjesë përbërëse e Kosovës. Nuk do të lejojmë që veriu të bëhet fushëbetejë për arritjen e ambicieve hegjemoniste të autokratëve rajonalë.”
Osmani adresoi kritika edhe ndaj BE-së për qasje të pa balancuar në dialogun Kosovë-Serbi.
“Takimi i ardhshëm i dialogut do të mbahet më 14 Shtator. Kosova gjithmonë ka qenë palë konstruktive, fatkeqësisht e vetmja palë konstruktive në atë proces. Lista e marrëveshjeve të pazbatuara nga Serbia është shumë e gjatë, nuk duhet të thellohem në këtë. Shpresat tona janë të ketë një qasje të balancuar së paku nga ndërmjetësit e BE-së, si parakusht për suksesin e procesit. Ka pasur momente kur se kemi parë këtë balancë, dua t’i bëj thirrje gjithë aleatëve dhe partnerëve tanë, që të sigurojnë këtë lloj balance. Ta sigurojmë parimin e barazisë së plotë, e pozicionimit të plotë të palëve në proces, nëse duam të shohim rezultate të qëndrueshme e rezultate që i kontribuojnë paqes e sigurisë në rajon.”
Osmani shprehu gatishmërinë që në bashkëpunim me NATO-n t’i sjellin para drejtësisë kriminelët që plagosën 93 ushtarët e KFOR-it, gazetarët e njësitet policore në veri të Kosovës me 29 Maj.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i mirëpriti hapat e fundit që janë ndërmarrë nga Prishtina, duke përfshirë zvogëlimin e numrit të Forcave Speciale të Policisë në veri dhe planet të mundësuar zgjedhje të reja komunale.
“Në përputhje me zotimet e Prishtinës që nga viti 2013, çdo lloj zbarkimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri kërkon pëlqimin e KFOR-it. Për këtë presim konsultime në kohë, kuptimplotë, për çfarëdolloj zbarkimi që mund të ndikojë mjedisin e sigurisë.”
Ai këtu tregoi se në reagim ndaj trazirave të fundit, NATO ka zbarkuar qindra trupa shtesë në Kosovë.
“Vazhdojmë ta monitorojmë siutatën dhe qëndrojmë të gatshëm të veprojmë për ta përmbushur mandatin tonë të OKB-së”, shtoi Stoltenberg.
Shefi i NATO-s tha po ashtu se e mirëpret takimin e 14 Shtatorit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç. Këtë, ai e cilësoi si të vetmen mënyrë “për t’i zgjidhur çështjet e mbetura dhe për ta arritur zgjidhjen që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve”.
“Kjo kërkon durim, insistim dhe kompromis”, theksoi Stoltenberg.
Ky takim, siç tha Stoltenberg, “është mundësi për Kosovën që është palë e përgjegjshme”.
Klan News