Ndalimi i importit të ushqimeve, Ukraina padit fqinjët e BE-së

Ukraina ka ngritur padi në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) kundër Sllovakisë, Polonisë dhe Hungarisë për vendimin e tyre për të ndaluar importin e ushqimeve nga Kievi.

“Kufizime të tilla janë një shkelje e detyrimeve ndërkombëtare nga fqinjët e BE-së të Ukrainës.”

Pushtimi i Rusisë në Ukrainë vitin e kaluar mbylli të gjitha korsitë kryesore të transportit të Detit të Zi dhe e detyroi Ukrainën të gjente rrugë alternative tokësore. Nga ana tjetër, kjo çoi në sasi të mëdha drithi që përfunduan në Evropën Qëndrore.

Fermerët e atyre vendeve kanë mbajtur disa herë protesta duke thënë se dërgesat e drithit ukrainas me sasi të mëdha dhe me çmime të ulëta, po shtrëmbëronin tregjet lokale.

Presioni bëri që blloku 27-anëtarësh i BE-së të binte dakord në fillim të këtij viti për kufizime tregtare mbi importet e Ukrainës në Hungari, Poloni, Sllovaki si dhe Bullgari dhe Rumani deri më 15 Shtator. Në ditën e afatit, Komisioni Evropian vendosi të mos e zgjasë ndalimin.

Nga ana tjetër, qeveritë në Budapest, Varshavë dhe Bratislavë kundërshtuan masën e Komisionit duke shpallur kufizimet e tyre.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne të dëshmojmë se shtetet anëtare individuale nuk mund të ndalojnë importet e mallrave ukrainase. Kjo është arsyeja pse ne po ngremë padi kundër tyre (Sllovakisë, Polonisë dhe Hungarisë) në OBT”, u shpreh Ministrja e Ekonomisë e Ukrainës, Yulia Svyrydenko.

Svyrydenko shtoi se eksportuesit ukrainas kishin pësuar dhe po vazhdojnë të pësojnë humbje të konsiderueshme për shkak të ndalimeve të njëanshme. Komisioni Evropian ka deklaruar vazhdimisht se nuk i takon anëtarëve individualë të BE-së të bëjnë politikën tregtare për bllokun.

Polonia, Hungaria dhe Sllovakia po lejojnë ende grurin ukrainas të kalojë tranzit nga vendet e tyre në tregje të tjera./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share