NATO thirrje Kosovës: Të shtensionohet menjëherë situata në veri

Aleanca ushtarake e NATO-s i bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të shtensionojnë menjëherë situatën në veri të shtetit, një ditë pas përplasjeve mes Policisë së Kosovës dhe grupeve lokale të serbëve.

“Ne u bëjmë thirrje institucioneve në Kosovë të shtensionojnë menjëherë situatën dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të zgjidhin situatën përmes dialogut. Misioni i NATO-s, KFOR, vazhdon të jetë vigjilent dhe të ofrojë mjedis të sigurt”, shkroi në Twitter, zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu.

Më 26 Maj, kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviçit, me asistimin e Policisë së Kosovës hynë në ndërtesat komunale, për të nisur punën, pasi një ditë më parë bënë betimin në shkolla dhe ndërtesa të tjera komunale.

Hyrja e tyre në zyrat e komunave u kundërshtua nga grupe të serbëve lokalë. Policia e Kosovës ndërhyri duke përdorur gaz lotsjellës dhe shok-bomba, ndërkaq serbët lokalë hodhën gurë në drejtim të tyre.

Të paktën pesë policë pësuan lëndime. Faktori ndërkombëtar, në krye me Shtetet e Bashkuara, dënuan veprimet e Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar që menjëherë të ulen tensionet./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share