NATO: Të shtensionohet situata në veri të Kosovës

Kurti: Zbatuam kushtetutën / Serbia mban në fuqi gatishmërinë ushtarake

Aleanca ushtarake e NATO-s i bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të shtensionojnë menjëherë situatën në veri të shtetit, një ditë pas përplasjeve mes Policisë së Kosovës dhe grupeve lokale të serbëve.

“Ne u bëjmë thirrje institucioneve në Kosovë të shtensionojnë menjëherë situatën dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të zgjidhin situatën përmes dialogut. Misioni i NATO-s, KFOR, vazhdon të jetë vigjilent dhe të ofrojë mjedis të sigurt”, shkroi në Tuitter, zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se i kupton shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë lidhur me situatën e krijuar. Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se ndërtesat komunale janë të shtetit të Kosovës, prandaj ato, sipas tij, nuk “janë marrë dje dhe nuk do të merren asnjë ditë tjetër”.

“Ne jemi të vetëdijshëm dhe i kuptojmë shqetësimet e ngritura nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Por, çdo opsion tjetër, do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë sonë ndaj kryetarëve të rinj, do të ishte mospërmbushje e obligimeve dhe detyrimeve të kryetarëve të rinj ndaj qytetarëve të Republikës, dhe do të pamundësonte ofrimin e shërbimeve bazike komunale për qytetarë”, tha Kurti.

Ndërkaq, në Beograd, pas seancës së Këshillit për Siguri Kombëtare është njoftuar se forcat e armatosura të Serbisë vazhdojnë të mbeten në gatishmërinë më të lartë ushtarake për shkak të situatës në veri të Kosovës.

Gjatë takimit, sic thuhet në komunikatë, janë dakorduar të gjitha aktivitetet e domosdoshme të sigurisë me qëllim të përforcimit të kapaciteteve mbrojtjëse të Serbisë./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share