NATO në Kosovë gati për çdo situatë

Situata e tensionuar, shtohen trupat në veri

Forcat e NATO-s në Kosovë janë të gatshme të përballen me çdo situatë nëse aktet e dhunës vijojnë. Kështu ka deklaruar komandati i KFOR Angelo Michele Ristuccia në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters.

“E vetmja mënyrë për të de-përshkallëzuar është vullneti politik i të dyja palëve. Nga pikëpamja ushtarake, puna jonë është të krijojmë hapësirë për negociatorët që të dyja palët të kthehen në dialog dhe të gjejnë zgjidhje paqësore. Pra, nuk ka zgjidhje ushtarake në këtë moment sepse e vetmja mënyrë për të zgjidhur këtë situatë është një vendim politik i cili bazohet në vullnetin e të dyja palëve për të normalizuar marrëdhëniet e tyre. Ne planifikojmë të përballemi me çdo lloj rrethane. Kjo është arsyeja pse ne morëm forca shtesë”.

Rreth 30 ushtarë paqeruajtës të NATO-s që mbronin tri komuna në veri të Kosovës u plagosën në përleshjet me protestuesit serbë në fund të Majit. Pesëdhjetë e dy protestues u plagosën.

NATO, e cila mbron Kosovën që nga përfundimi i luftës në 1999, vendosi të dislokojë 700 trupa shtesë dhe të vendosë një batalion tjetër në gatishmëri të lartë, duke e çuar forcën e saj në rreth 4,511.

Veriu i Kosovës, i cili është i banuar kryesisht nga serbë etnikë, ka parë tensionet më të këqija që nga shpallja e pavarësisë nga Serbia në vitin 2008.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share