Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stolteberg, theksoi të mërkurën rëndësinë e uljes së tensioneve në Kosovë dhe kërkoi që të dyja palët të përmbahen nga dhuna. Ai i ka bërë këto deklarata pas një takimi me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.
“Ne besojmë se dialogu [mes Kosovës dhe Serbisë] duhet të rifillojë. Do të vazhdojmë ta ruajmë paqen, siç e parasheh mandati ynë. NATO-ja e ka rritur numrin e trupave të misionit të vet në Kosovë, KFOR, për shkak të tensioneve të fundit në veri.”
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u shpreh shumë i shqetësuar rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë dhe i kërkoi NATO-s që përmes KFOR-it, të ofrojë siguri për serbët që jetojnë aty. Sipas tij, Beogradi beson se “veprimet e papërgjegjshme të qeverisë së Kosovës”, janë arsyeja kryesore e zhvillimeve të fundit.
“Gjithçka ndodhi për shkak të qasjes së keqe të Prishtinës, sepse ata duan të përjashtojnë serbët nga qeveria. Në të njëjtën kohë, po arrestojnë në mënyra të ndryshme shtetas serbë.”
Takimi mes Stoltenbergut dhe Vuçiçit u zhvilluar paralel me takimet që i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, zhvilloi në Bruksel me kryenegociatorët e të dyja vendeve: Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviçin.
Takim trepalësh nuk ka pasur. Gjatë ditës, Lajçak është thënë të jetë takuar edhe me Vuçiçin.
Klan News