NATO dhe BE dënojnë ashpër valën “e tmerrshme” të sulmeve të Rusisë në Ukrainë

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe aleatët evropianë, kanë kritikuar valën “e tmerrshme” të sulmeve ajrore të Rusisë në Ukrainë, të cilat kanë lënë të vdekur shtatë civilë dhe kanë plagosur mbi 60 të tjerë, më 10 tetor.

Moska, në anën tjetër, i ka konsideruar sulmet si hakmarrje për veprimet “terroriste” të Kievit, duke përfshirë aty edhe sulmin në fundjavë, në urën e vetme që lidh Rusinë me Gadishullin e aneksuar të Krimesë.

Kievi dhe disa qytete tjera ukrainase janë shënjestruar në orët e para të 10 tetorit nga disa valë të sulmeve me raketa.

Autoritetet ukrainase kanë thënë se katër rajone – Lviv, Poltava, Sumi dhe Ternopil – kanë mbetur pa rrymë pas sulmeve, dhe se me probleme të ngjashme mund të përballen edhe qyteza tjera.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Rusia i ka planifikuar me qëllim sulmet në mëngjesin e 10 tetorit për të shkaktuar sa më shumë viktima civile, dhe se ka sulmuar infrastrukturën shtetërore për energji, përmes dronëve të prodhuar nga Irani.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë më 10 tetor se sulmet kanë qenë shenjë e hakmarrjes ndaj veprimeve të Kievit.

Sipas tij, ushtria ruse ka përdorur më 10 tetor “armë precize” nga ajri, deti dhe toka, për të shënjestruar objektet kyçe të energjisë dhe ushtrisë.

Mirëpo si pasojë e sulmeve në Kiev, dhe qytetet tjera të mëdha ukrainase, janë goditur ndërtesa banimi dhe objekte të rëndësishme infrastrukturore.

“Kam folur me ministrin e jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba dhe kam dënuar sulmet e tmerrshme në infrastrukturën civile të Ukrainës”, ka thënë Stoltenberg.

“NATO-ja do të vazhdojë të mbështesë popullin e guximshëm ukrainas për të luftuar kundër agresionit të Kremlinit, aq sa të ketë nevojë”.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se është “e shokuar” nga sulmet e Rusisë.

“Rusia ia ka dëshmuar edhe një herë botës se çfarë përfaqëson: terror dhe brutalitet”, ka thënë von der Leyen.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share