Përzgjedhësi i Spanjës, Luis De La Fuente, ende nuk e ka ndarë mendjen plotësisht sa i përket një pozite për finalen e Euro 2024 ndaj Anglisë.
‘Furia e Kuqe’ do të takohet sot (14 korrik) me Anglinë në kërkim të trofeut, me synimin që të vazhdojnë rekordin perfekt prej gjashtë fitoresh në gjashtë ndeshje deri më tani në këtë garë.
De La Fuente në përgjithësi ka qëndruar me një formacion të njëjtë titullarësh duke bërë vetëm disa ndryshime të vogla.
Ai do t’i qëndrojë besnik gjashtë mesfushorëve dhe sulmuesve që e nisën nga minuta e parë në fitoren ndaj Francës në gjysmëfinale.
Risi do të jetë rikthimi i Dani Carvajal nga suspendimi në krahun e djathtë me Jesus Navas që do të jetë i gatshëm të luajë me dhimbje në rast nevoje.
Sidoqoftë, De La Fuente duhet të bëjë një zgjedhje të vështirë në qendër të mbrojtjes, me Robin Le Normand që po ashtu është rikthyer nga suspendimi.
Aymeric Laporte tashmë është konfirmuar si startues, pasi edhe në pesë ndeshjet e kaluara e ka nisur si tutllar, ndërsa tani veterani Nacho Fernandez ka marrë dritën e gjelbër nga stafi mjekësor, pasi mungoi në seancën e fundit stërvitore.
De La Fuente konfirmoi se 34-vjeçari është i gatshëm, por Le Normand është favoriti për të startuar, me eksperiencën e Nachos që do të përdoret me gjasë më vonë nëse Spanja po udhëheq në mintuat e fundit./Telegrafi/