Policia në Prilep mbrëmë ka privuar nga liria tre persona tek të cilët është gjetur drogë, ndërsa janë sanksionuar 20 shoferë, ndërsa 14 prej tyre janë përjashtuar nga komunikacioni.
MPB-ja kumtoi se gjatë mbrëmjes së kaluar nga ana e ekipeve patrulluese të përbërë nga nëpunës policor të Departamentit të policisë së uniformuar, Njësiti për intervenim të shpejtë, Njësiti special për mbështetje, Njësiti i policisë intervenuese dhe Zyrës së jashtme për çështje kriminalistike -Prilep janë kryer kontrolle ndaj personave dhe automjeteve të udhëtarëve në territorin e Prilepit.
Gjatë kontrolleve janë privuar nga liria tre persona. Gjatë kontrollit tek njëri prej tyre është gjetur një sasi e madhe tabletash “ekstazë” dhe kokainë, ndërsa tek dy personat e tjerë është gjetur kokainë. Kundër këtyre personave do të iniciohen kallëzime sipas nenit 215 të Kodit penal.
Në periudhën nga ora 21:00 deri ora 04:00, Njësia mobile për siguri në komunikacionin rrugor ka realizuar kontroll të përforcuar në territorin e qytetit të Prilepit për sanksionimin e shoferëve të cilët nuk kanë respektuar rregullat në komunikacion. Gjatë kontrollit janë sanksionuar 20 shoferë, ku 14 prej tyre janë përjashtuar nga komunikacioni, njofton MPB-ja.