Moti i lig i përcjellë me zbrazje elektrike, shira të rrëmbyeshëm dhe reshje të breshërit përfshiu pjesën më të madhe të Maqedonisë së Veriut, njofton KlanM.
Për shkak të breshërit banorët e Berovës njoftojnë për dëmtime të makinave, kurse nga postimet nëpër rrjetet sociale shihet sasi e madhe e ujit nëpër rrugët e qytetit.
Ka pasur dëmtime të infrastrukturës rrugore kurse, siç përcjell KlanM, raportohet edhe për mbylljen e drejtimit rrugor Berovë – Vinicë. Qendra për Menaxhim me Kriza ka njoftuar se është rritur niveli i ujit i lumit Smojmir dhe se ka dëme nëpër sipërfaqet bujqësore dhe përmbytje në disa objekte.
Moti i lig kaploi edhe Resnjën. Atje, sipas njoftimeve, qind për qind janë dëmtuar mollët, por edhe kultura tjera bujqësore.
Dëme të mëdha, siç përcjell KlanM, janë shënuar edhe në Koçanë, Vinicë dhe Kriva Pallankë ku ka pasur reshje të breshërit dhe drunj të rrëzuar si pasojë e erës së fuqishme.
Ohri ishte rajoni i parë që u godit nga moti i lig. Ishin përmbytur rrugë, janë dëmtuar pullaze të shtëpive, kurse janë denoncuar edhe dëme tek automjetet dhe kulturat bujqësore.
Shtabi i Krizës i Komunës së Ohrit po bën vlerësimin e dëmeve./KlanMacedonia