Moska akuzon Kievin për sulm masiv me dronë në Rusi

Zyrtarët rusë thanë se Ukraina ka kryer sulme me dronë në orët e para të 1 shtatorit, duke shënjestruar disa rajone të shtetit, përfshirë edhe rafineri dhe infrastrukturë të energjisë në rajonet e Moskës dhe Tverit.

Ministria ruse e Mbrojtjes, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve TASS, tha se 158 dronë janë shkatërruar nga sistemi i mbrojtjes ajrore. Kjo ministri shkroi në Telegram se numri më i madh i dronëve – 122 gjithsej – u rrëzuan mbi rajonet e Kurskut, Brianskut, Voronezhit dhe Belgorodit, që gjenden në kufi me Ukrainën.

Këto pretendime të Rusisë nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur, ndërkaq Ukraina nuk ka komentuar për këtë çështje.

Kjo breshëri sulmesh me dronë vjen disa ditë pasi infrastruktura e energjisë së Ukrainës u shënjestrua me mbi 200 dronë rusë dhe raketa, në një prej sulmeve më të mëdha të këtij lloji.

Po ashtu vjen një muaj që kur Ukraina nisi ofensivën e saj në rajonin rus të Kurskut, edhe pse trupat ruse raportohet se po bëjnë përparim në lindje të Ukrainës, veçmas në rajonin e Donjeckut.

Kievi po i bën thirrje Uashingtonit që të heqë kufizimet në mënyrë që të përdorë armët që ka pranuar nga aleatët për të sulmuar thellë brenda territorit të Rusisë. Kievi argumenton se sulme të tilla do të pengonin aftësinë e Moskës që të kryejë sulme ndaj Ukrainës.

Po ashtu, më herët gjatë 1 shtatorit u raportua për shpërthime të fuqishme në stacionin e energjisë Konakovo në rajonin Tver. Ky stacion është një prej prodhuesve më të mëdhenj të energjisë në rajon, sipas kanalit Baza në Telegram, që ka lidhje me shërbimet ruse të sigurisë.

Pesë dronë u shkatërruan mbi rajonin Tver, tha guvernatori rajonal, Igor Rudenya, i cili nuk përmendi dëme nga kjo ngjarje.

Kryetari i Moskës, Segei Sobyanin, tha se një dron i lëshuar nga Ukraina u shkatërrua afër rafinerisë së naftës të Moskës. Ai tha se nuk raportohet për dëme në këtë rafineri.

Kjo rafineri është në pronësi të Gazprom Neft, që është pjesë e gjigantit rus të gazit, Gazprom.

Sipas kreut të qytetit Kashira, Mikhail Shuvalov, Ukraina po ashtu ka tentuar të sulmojë me dronë centralin e energjisë Kashira.

Të paktën nën dronë u shkatërruan në Moskë dhe rajonin përreth, tha kreu i kryeqytetit rus.

Rreth 26 dronë të lëshuar nga Ukraina u shkatërruan në rajonin kufitar të Brianskut, tha guvernatori rajonal, Aleksandr Bogomaz. Ndërkaq, më shumë se dhjetë dronë u shkatërruan mbi rajonin Boronezh dhe disa të tjerë mbi Kursk, Lipetsk, Riazan dhe Tula, thanë guvernatorët e këtyre rajoneve ruse.

Zyrtarët rusë nuk kanë raportuar për viktima e as dëme nga këto sulme që pretendojnë se janë kryer nga Ukraina. /REL/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share