BDI: “VLEN” TË DEKLAROHET PËR VETINGUN, VLEN: TË MOS PËRDHOSET 13 GUSHTI!
Tre ditë na ndajnë nga përvjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa koalicioni VLEN vazhdon të akuzojë BDI-në se përpiqet të ktheje nënshkrimin e Marrëveshjes në një festë private.
Nga VLEN thonë se BDI vazhdon të tregojë mungesë të kapacitetit të brendshëm për reforma programore dhe kadrovike, duke I ftuar që të ndryshojnë emrin e partisë në “Bashkimi Jodemokratik për Dezintegrim”.
“Çdoherë kur ata thonë ‘Marrëveshja e Ohrit’ dhe tentojnë të imponojnë tema si ‘legjitimieti’ nënkuptojnë defokusim për t’i shmangur temave për skandale korruptive dhe përgjegjësisë gjatë regjimit 22 vjeçar. Askush nuk ka të drejtë të privatizojë përfitimet për shqiptarët nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit. Koalicioni VLEN i bën thirrje BDI-së që të mos përdhos 13 gushtin, datën që solli paqen. Është e turpshme dhe poshtëruese për luftëtarët e gjallë e të vdekur të UÇK-së dhe për nënshkruesit Arben Xhaferi e Imer Imeri, që Marrëveshja e Ohrit të privatizohet me marrëveshje kriminale si ajo e SORAVIA-s” – thonë nga VLEN.
Nga BDI këto kumtesa të koalicionit VLEN i shohin si përpjekje për të defokusuar opinion nga heshjta e tyre ndaj kërkesës së integristëve për veting ndërkombëtare.
“Merrni guximin për të filluar veting të monitoruar ndërkombëtarisht për çdo politikan. Ditët kalojnë, dhe partitë nga qeveria monoetnike, të frikësuara nga kërkesa e BDI-së për të iniciuar një veting të monitoruar ndërkombëtarisht për çdo politikan në 30 vitet e fundit, përfshi edhe procesin e privatizimit, kanë mbetur të heshtura dhe po përpiqen të devijojnë temën me kumtesa boshe. Ejani, menjëherë të fillojmë që secili nga politikanët të paraqesë pasurinë dhe të kaluarën e tij para një komisioni ndërkombëtar të monitorimit për veting. Derisa nuk e bëni këtë, ju jeni vetëm mashtrues që përpiqeni të vidhni popullin nën sloganin “Kapeni hajnin” – thonë nga BDI.
Vetëm pak ditë më parë pas mbledhjes së kryesisë, BDI informoi se më 13 gusht do të mbajnë organizim për shënimin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, ku në prani të akademikëve nga vendi dhe jashtw do të shqyrtohet edhe propozim drafti i ekspertit amerikan Pol Uilliams, dokument synimi i të cilit është parandalimi i mbivotimit dhe legjitimimi i parimit “fituesi me fituesin”. /tvklan.mk/