18 palestinezë kanë ndërruar jetë gjatë përpjekjes për të mbledhur ndihmat që u hodhën nga ajri mbi Gazën e Veriut. Lajmin e ka bërë të ditur zyra qeveritare e Gazës e drejtuar nga Hamasi.
12 persona janë mbytur pasi hynë në det për të marrë paketat ushqimore, ndërsa 6 të tjerë u shkelën për vdekje pasi banorët në Gaza u dyndën për të marrë paketat e ndihmës që ranë në tokë. Në deklaratë bëhet thirrje për t’i dhënë fund menjëherë fluturimeve të ushqimeve, duke i quajtur ato fyese, të gabuara, të papërshtatshme dhe të padobishme.
Videoja e palestinezëve që nxitojnë në bregdet është shfaqur pasi ndihmat u hodhën në një plazh pranë qytetit verior të Beit Lahia të hënën. Në pamjet e bëra publike shfaqen njerëz që vrapojnë, ndërsa dhjetëra pako ndihme që duken të lidhura me parashuta notojnë pranë bregut.
Izraeli, i cili është nën presion për të lejuar më shumë ndihma në Gaza nëpërmjet tokës, thotë se ka lehtësuar lëshimin nga ajri të 159 paketave prej një ton ndihme mbi Gazën veriore gjatë së hënës të kësaj jave.
Shtetet e Bashkuara thonë se dy avionë hodhën 46,000 vakte gati për të ngrënë mbi veri të hënën, ndërsa Mbretëria e Bashkuar thotë se një prej avionëve të saj hodhi 10 ton ujë, oriz, vaj gatimi, miell, mallra të konservuar dhe formula për bebe. Organizatat humanitare kanë paralajmëruar se avionët nuk mund të plotësojnë nevojën në rritje për ushqim dhe strategjia ka ngjallur mjaft diskutime. /tvklan.al