Berisha: Revolucion e luftë për votën e lirë
Dy ditë pas agresionit që iu bë në protestën e 6 dhjetorit, Sali Berisha ka ashpërsuar tonet duke e paralajmëruar kryeministrin Rama se do të përballet me revolucion nga ana e opozitës. Mesazhin ia dha në ditën e rinisë në krah të të rinjve të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, duke e cilësuar kreun e qeverisë armik të kombit.
“Shqipëria nuk shpëtohet me lutje, Shqipëria nuk shpëtohet me deklarata. Shqipëria shpëtohet me revolucion. E shpëtojnë guximtarët, ata që e duan, ata që i dalin zot, e shpëtojnë ata si ju, që jeni të gatshëm të përballeni ballë për ballë, dhëmb për dhëmb me fundërrinat e regjimit të vjetër, me Edi Ramën, këtë bir xhelati që urren qenien shqiptare, që urren liritë e shqiptarëve, që urren dinjitetin e shqiptarëve”, deklaroi Sali Berisha.
I shpalli luftë të hapur duke I kujtuar se pavarësisht agresionit që iu bë në protestë nuk ka ndërmend të hërhiqet nga kauza për votën e lirë.
“Edi Rama, ky frikacak, nxjerr një kriminel në rrugë dhe gjuan. Një njeri mund të gjuhet, mund të vritet, por kauza nuk vdes kurrë.Ne do e faktojmë shpejt Edi Rama se kauza jonë do triumfojë. Se Shqipërinë nuk ta japim kurrë, se lirinë nuk ta japim kurrë, se votën e lirë nuk ta japim kurrë!Ata që kanë luftuar pushtuesit në histori, i kanë luftuar me moton ja vdekje, ja liri, ne do i luftojmë me moton: jetën e japim, votën nuk ta falim.Mjerë ti që ke prekur votën tonë”, tha Berisha.
Të rinjtë I ftoi në sheshin e betejës për të shpëtuar vendin, sikundër 32 vite më parë në përmbushje të misionit të dytë historic.
“liria na fton: sakrificë, sakrificë dhe vetëm sakrificë. Ne jemi gati të luftojmë çdo armik të saj, çdo pushtues të saj, çdo mafie te saj. Asgjë nuk na ndalon ne pa realizuar qëllimet tona. Unë jam i bindur se ju e keni të qartë, se çfarëdo të bëjmë ne për Shqipërinë, ajo bën 100 herë më shumë për ne, prandaj ne do i dalim zot asaj. pres me padurim të madh të dalim së bashku në sheshin e betejës në emër të lirive tona, të dinjitetit shqiptar”, u shpreh kryedemokrati Berisha.
Sipas Berishës në 9 vite qeverisje me politikat e tij antikombëtare, kryeministri Rama jo vetëm vodhi pasuritë e shqiptarëve, por shpopulloi edhe vendin, duke e kthyer Shqipërinë në vendin e gomoneve dhe strehë të mafies dhe narkotrafikut./KlanMacedonia