Mitsotakis e Tsipras shohin nga të rinjtë, përdorin Youtube dhe TikTok gjatë fushatës

Politikanët në Greqi u drejtohen të rinjve përmes platformave sociale

Politikanët që konkurrojnë në zgjedhjet e Greqisë u janë drejtuar të rinjve nëpërmjet YouTube dhe TikTok për të fituar votëbesimin e tyre që prej kohësh mendojnë se krizat e njëpasnjëshme u kanë kushtuar rininë e tyre.

Eirini Baiaka është një rast konkret. Një dekadë pasi nisi studimet universitare me shpresën se do të bëhej mësuese, ajo u detyrua të punonte punë të ndryshme me qëllim që të paguante faturat, teksa Greqia u përball me krizë të thellë ekonomike, me pandeminë dhe krizën e kostos së jetesës që u rrit ndjeshëm. Të gjitha këto ia kanë vështirësuar asaj që të realizojë ëndrrën që të bëhet mësuese.

“Ajo që kam imagjinuar në moshën 18-vjeçare është shumë larg nga ajo që po jetoj në moshën 28-vjeçare. Nuk e di se si mund të quhemi një brez i humbur. Më duket sikur e kam humbur ndeshjen para se të fillonte.”

Fitimi i besimit tek personat nën 30 vjeç, sikurse është Baiaka, është shndërruar në sfidë për partitë në mbarë spektrin politik para zgjedhjeve parlamentare të 21 Majit. Të gjitha premtimet e partive duket se nuk po bindin këtë brez, pasi popullsia e shtetit është duke u plakur.

“Në çfarë lloj shoqërie jetojmë? Nuk më ofron asgjë. Prindërit tanë sakrifikuan kaq shumë gjëra, gjëra themelore, që ne të mund të studionim këtu, që të kishim një të ardhme më të mirë, për ta bërë këtë shoqëri më të mirë përmes studimeve tona, dhe krejt papritur kjo qeveri deri më sot nuk ka bërë asgjë, ne luftojmë çdo ditë për të jetuar.”

Sondazhet e opinionit tregojnë se partia konservatore në pushtet “Demokracia e Re” është përpara partisë së majtë “Syriza”. Midis votuesve të rinj, partitë e majta opozitare priren të jenë më popullore. Nëse zgjidhet, Syriza thotë se do të heqë kërkesat për hyrje në universitet, ndërsa Demokracia e Re ka premtuar një pagë prej 150 eurosh për ata që mbushin 18 vjeç.

“Mendoj se Greqia është në një periudhë që për shkak të mundësive të këqija ose të pakta që të jep, gjë që nuk të jep motivimin për të ecur përpara. Nëse ne vazhdojmë me qeverinë e njëjtë, mendoj se do të ketë më shumë zhgënjim. Nëse dikush tjetër vjen në pushtet, a mendoj se do të sjellë ndonjë ndryshim të madh? Jo.”

Ndërsa ekonomia parashikohet të rritet me 2.3% këtë vit dhe papunësia është ulur në 10%, gati një e katërta e atyre nën 24 vjeç janë të papunë pra gati 14% sipas Eurostat, më shumë se dyfishi i mesatares së BE-së. Problemet e rënda demografike të Greqisë nënkuptojnë se votuesit e rinj janë vetëm një pjesë e vogël e elektoratit, rreth 18%, por politikanët kërkojnë sërish besimin e tyre.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share