Mister fati i ushtarit amerikan që u arratis në Korenë e Veriut

Trevis King i dënuar për shkatërrim prone po kthehej në SHBA

Ka kaluar pothuajse një ditë që kur ushtari amerikan Travis King kaloi vullnetarisht në Korenë e Veriut. Pheniani nuk ka lëshuar ende një deklaratë për incidentin.

Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve nuk përmendi kalimin e rrallë kufitar dhe në vend të kësaj, titujt u përqendruan në zhvillimin në industri të ndryshme lokale. Ekspertët thonë se Pheniani mund ta përdorë praninë e ushtarit amerikan si një mjet propagande për të kritikuar ushtrinë amerikane.

Travis King, i cili është në fillim të të 20-ave, iu bashkua ushtrisë në vitin 2021 dhe supozohej të kthehej në bazën e tij në Teksas për t’u përballur me masa disiplinore ushtarake pas përfundimit të pothuajse dy muajve në një burg të Koresë së Jugut me akuza për sulm për dëmtimin e një makine policie.

Ai u shpall fajtor për sulm dhe shkatërrim mallrash në një incident në tetorin e 2022 dhe më 8 Shkurt të këtij viti Gjykata e Qarkut Perëndimor të Seulit e gjobiti atë me 4,000 Dollarë. Siguria e Travis King është shqetësimi kryesor i Uashingtonit.

King kaloi kufirin shumë të fortifikuar ndër-korean për të hyrë vullnetarisht në Korenë e Veriut ndërsa aktualisht ndodhet në paraburgim. Sipas ushtrisë amerikane, ushtari po shoqërohej në aeroport dhe po kthehej në SHBA për arsye disiplinore dhe iu bashkua një grupi turistësh në zonën kufitare.

Incidenti ndodhi në zonën e Përbashkët të Sigurisë në kufirin midis dy Koreve.

Travis King nuk është ushtari i parë amerikan që kalon vullnetarisht në Korenë e Veriut. Në vitin 1965, katër ushtarë amerikanë dezertuan në Korenë e Veriut, ku u mbajtën si të burgosur dhe u detyruan të luanin në filma propagandistikë.

Departamenti Amerikan i Shtetit i ndaloi amerikanët të udhëtojnë në Korenë e Veriut pasi studenti Otto Warmbier u arrestua në një turne në vend në vitin 2015. Ai u dënua në 2016 me 15 vjet punë të rëndë dhe vdiq në vitin 2017, në moshën 22-vjeçare nga mungesa e oksigjenit dhe gjakut në tru pas kthimit të tij në Shtetet e Bashkuara.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share