Ministria e Punëve të jashtme e Maqedonisë së Veriut ka dënuar incidentet e ndodhura dje para ndeshjes Shkupi – Levski.
“Dhuna nuk është e pranueshme në asnjë rrethanë, veçanërisht jo kur rezulton në lëndime të rënda. Autoritetet e sigurisë kanë të gjithë mbështetjen në zbatimin e rendit dhe qetësisë publike. Shtetasi bullgar i lënduar është trajtuar profesionalisht dhe me kujdesin e duhur; ai aktualisht ndodhet në gjendje stabile dhe pas ndërhyrjes kirurgjikale po shërohet në spitalin e Shkupit. Përfaqësuesit e ambasadës bullgare janë në kontakt të vazhdueshëm me shtetasin bullgar të lënduar dhe të afërmit e tij, si dhe me autoritetet shëndetësore vendase. Autoritetet kompetente të Republikës së Maqedonisë së Veriut tashmë i kanë marrë dhe do të vazhdojnë t’i marrin masat e nevojshme për hetim dhe ndjekje efektive në lidhje me incidentet e ndodhura. Siç e kemi theksuar më parë në disa raste, Republika e Maqedonisë së Veriut është vend i lirë dhe të gjithë që dëshirojnë ta vizitojnë vendin janë të mirëseardhur; privilegj që nuk nënkupton që nga këtu është e pranueshme të shprehen fyerje, veçanërisht jo teza që nënkuptojnë pretendime territoriale dhe/ose mohim dhe fyerje të bazuara në baza etnike, fetare ose baza të tjera identitare. Njëjtë sikur më parë, shkelja e këtyre rregullave do të trajtohet në mënyrë të duhur nga institucionet kompetente dhe individëve të tillë do t’u kufizohet privilegji i pranisë në vend”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.
Nga MPJ shtojnë se dy shtetet janë fqinjë të mirë që i kapërcejnë dallimet politike me mjete diplomatike, duke kultivuar kulturën e dialogut të fqinjësisë së mirë./KlanMacedonia