Ministria e Arsimit: Arrihet zgjidhje për transportin e nxënësve të Vizbegut

Është arritur zgjidhje për rreth 500 nxënës të lagjes Vizbeg të Shkupit, të cilët në mungesë të shkollës janë të detyruar që të ndjekin mësimin në shkolla të ndryshme të komunave të Shkupit : Butel, Çair dhe Shuto Orizarë, përcjell KlanM.

Një gjë të tillë e konfirmojnë nga Ministria e Arsimit ku thonë së është arritur zgjidhje për nxënësit e kësaj lagje nga ku Komuna e Butelit dhe ajo e Çairit do të vazhdojnë të financojnë transportin për nxënësit të cilët mësojnë në këto komuna deri në fund të vitit.

“Në takimin koordinues të ministrit të Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri dhe kryetarëve të dy komunave Darko Kostovski dhe Visar Ganiu, sot është tejkaluar sfida me të cilën ballafaqohen disa nga nxënësit e Vizbegovës, të cilët për shkak të mungesës së objektit shkollor në vendin e tyre të vendbanimit, vijojnë mësimin edhe në shkolla të tjera në territorin e këtyre dy komunave dhe për shkak të pezullimit të transportit të organizuar, ditëve të fundit kanë organizuar individualisht udhëtimin që të arrijnë në klasat e tyre.Pas një diskutimi konstruktiv dhe prezantimit të një sërë propozimesh dhe sygjerimesh për tejkalimin e situatës, Komuna e Butelit tashmë po financon transportin e organizuar nga Vizbegova në SHFK “Ismail Qemali”, dhe Komuna e Çairit do të vazhdojë të financojë organizimin e transportit për nxënësit nga Vizbegova në SHKF “7 Marsi” deri në fund të vitit shkollor”, njoftojnë nga Ministria e Arsimit.

Në ndërkohë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës informon se është duke punuar në zgjidhjen e përhershme, përmes investimit në infrastrukturën arsimore, gjegjësisht ndërtimin e një objekti shkollor krejtësisht të ri, modern në Vizbegë, ku nga viti i ardhshëm shkollor nxënësit nga kjo lagjja do të vazhdojnë shkollimin aty dhe nuk do të ketë më nevojë për transport./KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share