Ministri grek i Punës, Andonis Georgiadis ka paralajmëruar se Greqia do të bllokojë çdo financim europian për Shqipërinë nëse Fredi Beleri nuk lejohet të betohet si kryebashkiak i Himarës.
Në një intervistë për televizionin grek ERT, Georgiadis ka deklaruar se “shteti fqinj ta harrojë kursin europian nëse pengon betimin e Belerit”.
“Nëse zgjedhjet përsëriten ose betohet një tjetër kryetar bashkie, për Greqinë do të jetë faktor i keq në marrëdhëniet me Shqipërinë për një periudhë të pacaktuar. Shqipëria do ta paguajë shumë shtrenjtë nëse vazhdon të shkelë të drejtat e grekëve”, u shpreh Georgiadis.
Ministri grek bëri thirrje që Shqipëria të rishikojë qëndrimin e saj, teksa vlerësoi se mungesa e ftesës për Kryeministrin Rama në konferencën informale në Athinë për Ballkanin Perëndimor, është një mesazh i qartë.
“Vendimi i Kyriakos Mitsotakis për të ftuar gjithë të tjerët përveç Ramës mendoj se tregon që çështja e Fredi Belerit nuk po kalon pa pengesa në Qeverinë Greke. Ata që menduan se Kyriakos Mitsotakis do të ishte i butë në këtë çështje, e kishin gabim. Mesazhi për Shqipërinë sot është i qartë. Nëse vazhdojnë të pengojnë betimin e kryetarit të ri të Bashkisë së Himarës Fredi Beleri, do të duhet ta harrojnë kursin e tyre europian dhe paratë nga Europa”, theksoi ministri grek Georgiadis.
Sot dhe nesër në Athinë mbahet konferenca informale për Ballkanin Perëndimor. Kryeministrit Rama nuk i është dërguar ftesë nga Mitsotakis, por në vend të tij është ftuar Presidenti Bajram Begaj. Ky i fundit nuk do të shkojë, siç tha ai, për shkak të takimeve të planifikuara më parë në axhendën e tij.
/tvklan.al