Mihael Rot: Ndryshimet kushtetuese nuk do t’i dëmtojnë maqedonasit

BE-ja TA PËRFORCOJË PREZENCËN NË RMV

Ish-ministri gjerman për Evropën, Mihail Rot, një nga mbështetësit për integrim më të shpjetë të Maqedonsië së Veriut në familjen evropiane, sot në Shkup është pritur nga pothuajse gjithë kreu i shtetit, në bisedime për të ardhmen e procesit, raporton Klan M.

Në rolin e deputetit në Bundestagun gjerman dhe të shefit të Komisionit për politikë të jashtme, Mihail Rot që në orën 8 të mëngjesit në Tuitter në gjuhën maqedonase shkroi – Mirëmëngjesi Shkup! Më vonë, pas takimit me Presidentin e Shtetit, Stevo Pendarovski shtoi.

“Gëzohem që jam këtu, posaçërisht në këto kohë të vështira kur mund të ndjej frustrim dhe zhgënjim nga BE-ja, por ky është obligimi ynë, i politikanëve të BE-së dhe të Gjermanisë, t’i motivojmë maqedonasit ta bëjnë hapin e rradhës në drejtim të BE-së dhe ta dinë se kjo vërtetë ia vlen” – deklaron Mihael Rot, deputeti gjerman.

Ndërsa hapi i rradhës, që e vë në dukje Rot, është pengesa në politikën vendase – nevoja për ndryshim të Kushtetutës dhe përfshirja e bullgarëve si pjesë e bashkësive në Maqedoninë e Veriut, që për opozitaren VMRO-DPMNE është e papranueshme, sepse, siç pohojnë, gjithë korniza negociuese me BE-në, e imponuar nga Sofja zyrtare, ka për qëllim bullgarizimin e maqedonasve. Mesazhi i politikanit gjerman është më ndryshe.

“Shpresoj se tani në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut do të mund të krijohen parakushte që të vazhdojë të angazhohet për negociatat aderuese. E di se shumë persona nuk e kanë aspak të lehtë kur bëhet fjalë për këto ndryshime kushtetuese, por secili duhet ta parashtrojë pyetjen – jo si t’i ndihmoj partisë sime, por çfarë mund të kontribuoj për vendin tim…BE-ja është bashkësi me shumëllojshmëri kulturore dhe gjuhësore dhe askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë në identitetin kulturor. Asnjë marrëveshje nuk do të mund të ndryshojë diçka nga ky parim themelor në të cilin bazohet BE-ja” – tha Rot.

Në lidhje me këtë temë Rot sot bisedoi me pothuajse gjithë kreun e shtetit dhe atë politik në vend, nga Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski, Kryetari i Kuvendit Talar Xhaferi, deri te ministrat përkatës dhe përfaqësuesit politikë. Gjermania e ka mbështetur fuqishëm fillimin e negociatave aderuese në mes Shkupit dhe Brukselit, por imponimi i kushteve për çështjet etnike dhe historike nga ana e Sofjes zyrtare e zhvendosi procesin për më shumë se dy vite. Më 18 korrik Këshilli Evropian dha dritë jeshile për fillimin e procesit të skriningut, por negociatat praktike pritet të fillojnë vitin e ardhshëm, në qoftë se Kuvendi në Shkup i miraton ndryshimet kushtetuese për të cilat insiston Sofja. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share