VMRO-DPMNE-ja nuk do të lejojë ndryshimin e Kushtetutës. Ka qenë ky mesazhi i liderit partiak, Hristijan Mickoski, gjatë fjalimit të tij para Forumit Rinor të partisë.
Mickoski citohet të ketë thënë se për dallim nga e kaluara kur deputetët e tyre ishin bindur të votojnë për ndryshime kushtetuese, në këtë përbërje nuk ekziston njeri që do të lëshojë pe nga qëndrimet dhe të lelojë të ndryshohet kushtetuta.
Mickoski vlerëson se është e nevojshme formimi i Qeverisë teknike dhe më së voni deri në pranverë të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
“Tani kemi deputetë që qëndrojnë fuqishëm pas qëndrimeve të tyre dhe ata nuk do të lejojnë të ndryshohet kushtetuta. Ta mbyllim këtë temë. Nga nesër të flasim për temën për të cilën dua të prononcohem. Sa më shpejtë të formohet Qeveria teknike dhe më së voni deri në pranverë të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare” – ka deklaruar Mickoski.
Ai e ka akuzuar LSDM-në se është në situatë nënçmuese në Qeveri, kurse për BDI-në ka thënë se flasin për vlera evropiane që të mos japin përgjegjësi për tragjeditë, sikurse me Spitalin modular në Tetovë dhe aksidentin tragjik në Bullgari.