ZGJEDHJET PARLAMENTARE
“Nuk ka Maqedoni të VMRO-së, LSDM-së, BDI-së. S`ka Maqedoni të djathtë apo të majtë – Perëndimore apo Lindore. Ka vetëm një Maqedoni. Popull – Maqedonia bëhet sërish e Jotja”.
Ky është mesazhi në Facebook i së enjtes të liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pas fitores historike në zgjedhjet e dyfishta të 8 majit.
Sipas të gjitha gjasave ai do të jetë mandatari ri për formimin e Qeverisë. Pas shtatë viteve në opozitë, VMRO-DPMNE-ja kthehet në pushtet. Mickoski u shpreh se qeveria e re do të formohet shumë shpejt.
“Shumë shpejt do t`i nisim negociatat me partitë e opozitës për forminin e koalicionit dhe Qeverisë më të mirë për Maqedoninë tonë” – tha Mickoski.
Në fjalimin fitues Mickoski vlerësoi se korrupsioni, paaftësia, tenderët, nepotizmi janë arsyet për rënien e qeverisë aktuale.
“Ata 100 njerëx nga BDI-ja dhe LSDM-ja që mendonin se zotëronin jetët tona. Ata sot kanë dhimbje koke. Do të përgjigjen, nga i pari deri te I fundit, secili që ka bërë krime dhe ka zbatuar korrupsionin. Patjetër të ketë përgjegjësi që do të bazohet në drejtësi dhe ligje” – tha Mickoski.
Funksionarëve të ardhshëm të partisë së tij, u bëri thirrje që të mësojnë nga gabimet e qeverisë së deritashme dhe të mos e nënçmojnë popullin. Por, paralajmroi lajme të mira ekonomike në 100 ditët e para të qeverisë.
“Jemi në fazë progresi dhe në bisedime për një pako të fuqishme investuese. Por në 100 ditët e para do të ketë lajme të mira për qytetarët dhe ekonominë e Maqedonisë” -tha Mickoski.
Pas zgjedhjeve të 8 majit, deputetët e ardhshëm duhet ta mbajnë seancën konstituive parlamentare në afat prej 20 ditëve ose më së voni deri më 28 maj.
Më pas Siljanovska Davkova në afat prej 10 ditëve duhet t`ia ndajë mandatin Mickoskit, ku nis edhe afati tjetër 20-ditësh për dorëzimin në Kuvend të programit dhe përbërjes qeveritare.
Konform të gjithë afateve, kjo do të thotë se deri në fund të qershorit duhet të propozohet qeveria e re.
Kur Mickoski të bëhet Kryeministër, do të jetë I 11-ti në këtë funksion që nga pavarësimi i vendit. /tvklan.mk/