Mickoski: Bashkë me referendumin të mbahen edhe zgjedhjet e parakohshme

NË KSHZ DORËZOHET NISMA PËR REFERENDUMIN OBLIGUES

Lideri i VMRO – DPMNE-së sot edhe zyrtarisht i dorëzoi Komisionit Shtetëror të zgjedhjeve iniciativën qytetare për referendum, me pyetjen “A jeni për shfuqizimin e ligjit të ratifikimit të Marrëveshjes për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Bullgarisë”. Në deklaratën e dhënë për media para KSHZ-së, Mickoski u bëri thirrje qytetarëve për dalje masive në referendum, për të shfuqizuar Marrëveshjen me Bullgarinë, për të cilën ai vlerëson se bllokon procesin eurointegrues të shtetit, raporton Klan M.

“Nëse mbahet referendumi, qytetarët do të kenë mundësi të deklarohen me “po”, që do të thotë të shfuqizohet marrëveshja, apo me “kundër” që do të thotë se mbetet. U bëj thirrje qytetarëve pa dallim të fesë, përkatësisë etnike, pa dallim cilit opsion politik i përkasin, u bëj thirrje organizatave qytetare, gjithë aktorëve shoqëror për unifikim mbarë-maqedonas dhe të rreshtohen kundër asaj që paraqet problem më të madh në procesin eurointegrues të Maqedonisë – Marrëveshjes me Bullgarinë” – deklaroi Mickoski.

Mickoski pret që sot të mblidhen 100 nënshkrimet kualifikues, ku ai është i bindur se listën e nënshkrimeve do ta kryesojnë gjithë deputetët e VMRO-së. Lista me nënshkrimet e kualifikuara do t’i dorëzohet të premten kryeparlamentarit, ndërsa ky i fundit duhet t’ia dorëzojë Komisionit për Sistem Politik dhe Komisionit Juridiko Ligjvënës, të cilët duhet të konstatojnë nëse iniciativa qytetare është në rregull ose jo. Në rast se iniciativa miratohen në Kuvend, atëherë vijon faza e mbledhjes së nënshkrimeve për mbajtjen e referendumit.

Lideri opozitar tha se, fakti që kanë filluar procedurën për shpalljen e referendumit nuk do të thotë se heqin dorë nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme.

“Përkundrazi, kjo është mundësi e shkëlqyeshme që me një harxhim të organizohen edhe zgjedhje. I bëj thirrje pushtetit, shumicës parlamentare të dëshmojë karakter demokratik, të inkurajohet dhe të përcaktojë politikat e saja në zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat do të mbaheshin së bashku me referendumin” – tha Mickoski.

Që të shpallet referendum obligues, nevojiten të mblidhen 150 mijë nënshkrime, ndërsa që të jetë i suksesshëm duhet të votojnë mbi 900 mijë qytetarë. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share