Njëzet e pesë milionë denarë mjete shtesë në shëndetësi, mjedis jetësor dhe infrastrukturë janë siguruar me rishikimin shtesë të Buxhetit për vitin 2022, që u miratua sot nga Qeveria dhe duhet të dorëzohet në Kuvend për miratim. Mjetet janë siguruar përmes pranimit e amendamenteve gjatë diskutimit në Komisionin parlamentar për financim dhe buxhet pas propozim rishikimit të Buxhetit për vitin 2022.
Me këto mjete, ndër të tjera, zgjidhet përgjithmonë problemi me deponinë industriale në Jugohrom, sigurohen mjete për mamografë për spitalet në Strumicë dhe Negotinë, pastrimin e shtratit të lumenjve Vardar dhe Treska, rikonstruimin e urës së Moroishtës dhe ndërtimin e rrethrrotullimit, dokumentacionin projektues për qendrën kulturore Çegran e të tjera.
Rishikimi i Buxhetit për vitin 2022 është reagim ndaj krizës, gjegjësisht mundësohet ndërhyrje shtesë për të mbrojtur standardin e qytetarëve dhe likuiditetin e kompanive deri në fund të vitit, në kushtet e një krize të zgjatur energjetike dhe çmimesh.
Me ndryshimet dhe plotësimet e Buxhetit për vitin 2022, të hyrat e përgjithshme planifikohen të jenë në nivel prej 245.8 miliardë denarëve dhe janë për 6.9 miliardë denarë më të larta në krahasim me projeksionet fillestare të Buxhetit ose 2.9%. Shpenzimet e përgjithshme planifikohen të jenë në nivel prej 288.5 miliardë denarëve ose për 5.9% më shumë, përkatësisht për rreth 16 miliardë denarë më shumë në krahasim me projeksionet fillestare të planit për vitin 2022. Në bazë të të hyrave dhe shpenzimeve të këtilla, deficiti planifikohet të jetë në nivel prej 42.7 miliardë denarëve, përkatësisht 5.3% e PBB-së.
Me rishikimin e buxhetit janë siguruar 19 miliradë denarë më shumë në zërat që lidhen me implementimin e masave ekonomike për përkrahjen e qytetarëve dhe ekonomisë.
Mes tyre janë përkrahja financiare shtesë prej 4.7 miliardë denarëve për mbrojtjen e standardit të qytetarëve dhe likuiditetin e kompanive, 3.2 miliardë denarë për përkrahje të sektorit bujqësor, 2.4 miliardë denarë për të hyrat minimale të garantuara, më shumë mjete për rritjen e parashikuar të pensioneve, për pagat në arsim dhe kujdesin ndaj fëmijëve, si dhe për përkrahjen e kompanive për të subvencionuar kontributet për pagën minimale.
Shpenzimet kapitale planifikohen në nivel prej 32.1 miliardë denarë, me ç’rast planifikohen investime në rikonstruim dhe modernizim me pajisje tek institucionet shëndetësore publike, investime kapitale në fushën e arsimit, mbrojtjen sociale dhe të fëmijëve, në fushën e infrastrukturës rrugore, hekurudhore dhe komunale, realizimi i marrëveshjeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe rritje e vlerës së mjeteve për zhvillim rural, përkatësisht për hidrosistemet, sistemet e furnizimit me ujë dhe të kanalizimit dhe pjesën tjetër të infrastrukturës së ekonomisë së ujrave.
Rritja ekonomike në vitin 2022 projektohet në 3.2%, i nxitur nga konsumi vendas, që pritet të shënojë rritje prej 3.3%. Investimet bruto pritet të kenë rritje prej 5%, me ç’rast krahas shpenzimeve kapitale buxhetore, kontribut përkatës pritetet edhe nga investimet private.