BUXHETI, XHAFERI DHE BEJTA NUK DO TË JENË PJESË E SAJ
Deputeti dhe njëri ndër kryesuesit e fraksionit të BDI-së, Izet Mexhiti informoi se nga sot, do të fillojë procedurën për formimin e lëvizjes së re politike, njofton KlanM.
Mexhiti, para disa ditëve, paralajmëroi se, nuk do të jetë parti klasike politike, por lëvizje e cila do të artikulojë mendimin ndryshe të BDI-së. Sipas tij, te shqiptarët do të ketë dy blloqe politike, një të pushtetit dhe një të opozitës, e cila siç tha, do të ketë ndikim më të madh te shqiptarët.
“Të nderuara media ju informojmë që sot në ora 17:00 fillojmë përgatitjet për një Lëvizje të re politike në vend. Andaj edhe ju ftojmë të ndiqni këtë ngjarje që do të mbahet në Sallën e madhe të Komunës së Çairit në ora 17:00” – thonë nga fraksioni i BDI-së.
Ndërkaq, anëtarët e tjerë të fraksionit, Blerim Bexheti, Musa Xhaferi dhe Nevzat Bejta do të mbesin pjesë së fraksionit dhe nuk do t’i bashkangjiten lëvizjes së Mexhitit.
Grupi i të pakënaqurve në BDI, sic njofton KlanM, doli publikisht me publikimin e një letre në shtator të vitit të kaluar, drejtuar liderit të partisë, Ali Ahmeti, ku kërkuan nga ai që të gjejë zgjidhje për ruajtjen e unitetit partiak. Ata janë të pakënaqur nga minsitrat aktual të BDI-së në Qeveri dhe vlerësojnë se kanë uzurpuar partinë me vendimet e tyre. Si pasojë e mospajtimeve të vazhdueshme, anëtarët e grupit në maj të këtij viti, lëshuan kryesinë qendrore të BDI-së dhe paralajmëruan se, do të funksionojnë si fraksion i partisë. /KlanMacedonia/