Promovimi i repartit të ri në Klinikën Universitare për Gjinekologji dhe Obstetrikë, të pajisur me aparatura bashkëkohore diagnostike dhe të terapisë fetale që do të mundësojnë depistimin e hershëm tek gratë shtatzëna, ishte ky rasti që Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, të vizitojë këtë institucion publik shëndetësor.
Në këtë ngjarje mori pjesë edhe ambasadorja greke në vend, Sofia Filipidu, me mbështetjen e së cilës u siguruan pajisjet, gjë që do të thotë gjithashtu reduktim dhe ulje e vdekshmërisë dhe sëmundshmërisë perinatale.
“Pajisjet lejojnë monitorimin e fetusit gjatë zhvillimit të tij, si dhe zbulimin e të gjithë treguesve të mundshëm që mund të çojnë në pasoja të padëshiruara. Ky është një hap pionier në shëndetësinë tonë, rëndësi të madhe ka edhe mbështetja dhe bashkëpunimi i miqve tanë grekë, Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, si dhe Fondacionit për Mjekësinë Fetale, me ndihmën e të cilit po realizojmë Programin e Mjekësisë Fetale. Me këtë rast, dua të falënderoj Ambasadoren e Greqisë dhe popullin grek për ndihmesën e tyre në përsosjen e sistemit të kujdesit tonë shëndetësor.”- tha Mexhiti.
Mexhiti shpjegoi se të gjitha qytetaret tona do të kenë mundësinë të shfrytëzojnë pa pagesë të gjitha përfitimet e këtij Programi dhe njoftoi se përveç kësaj, përmes Programit do të krijohen edhe aftësime profesionale, përkatësisht do të hapen studimet master në fushën e mjekësisë fetale, të cilat do të realizohen në bashkëpunim me Fakultetin e Mjekësisë në kuadër të Universitetit të Shkupit “Shën Kirili dhe Metodi” dhe Shoqata për Mjekësi Fetale në Maqedoninë e Veriut.
“Personeli ynë do të trajnohet nga ekspertë të lartë të ofruar nga Fondacioni i Mjekësisë Fetale. Fondacioni gjithashtu do të sigurojë pajisjet e nevojshme për zbatimin e të gjithë programit, i cili përfshin dy aparate me ultratinguj, shtretër, kompjuterë, softuer, dhe gjithçka të nevojshme për të pajisur Repartin e Mjekësisë Fetale, “- theksoi Mexhiti.
Ministri i Shëndetësisë Mexhiti theksoi se pikërisht për shkak të zhvillimit të mjekësisë fetale në këtë klinikë, kemi një rënie të ndjeshme të numrit të të porsalindurve të vdekur, duke theksuar se në të ardhmen, me ndihmën e kësaj qendre, kjo tendencë do të vazhdojë edhe më bindshëm.