Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti përmes një statusi në faqen e tij zyrtare në Facebook, ka lutur qytetarët për qetësi, tashmë kur jemi ne vigjilje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për abrogimin e gjuhës shqipe.
Mexhiti shkruan se VLEN është garantues se të drejtat shqiptare nuk mund të suprimohen, mirëpo sipas tij duhet gjetur zgjidhje për problematikat e trashëguara nga e kaluara.
Reagimi i plotë:
Të dashur qytetarë,
Ju bëj thirrje të gjithëve për qetësi dhe gjakftohtësi. Qeveria ka punuar dhe po punon për të tejkaluar sfidat dhe për ulje të tensioneve.
Për çështjen e gjuhës shqipe ne jemi në të njejtën anë me të gjithë shqiptarët. Askush të mos ketë as dilemën më të vogël lidhur me këtë! Të drejtat e fituara nuk mund të suprimohen dhe as të abrogohen. Për këtë jemi garantues ne, përfaqësuesit e popullit në institucione. Si Qeveri po punojmë në gjetjen e zgjidhjeve afatgjata për problemet e krijuara e të trashëguara dhe për këtë po harmonizojmë veprimet, qëndrimet dhe orientimet me të gjithë aktorët dhe faktorët relevantë shoqërorë.
Qeveria është në veprim dhe koordinim të përhershëm. Bashkë me Parlamentin dhe aktorët tjerë shoqërorë jemi duke ndjekur me vëmendje çdo veprim, çdo qëndrim publik, çdo aksion e reaksion. Si institucione të përgjegjshme nuk do të lejojmë abrogimin e Ligjit për gjuhën shqipe dhe as rrënimin e frymës së bashkëjetesës që e garanton Marrëveshja e Ohrit.
I përkrahim të gjitha iniciativat publike, individuale ose kolektive të cilat për qëllim kryesor kanë ruajtjen por edhe avancimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. Betejat e përditshme politike dhe interesat e partive politike janë më pak të rëndësishme se gjuha shqipe.
Ju bëj thirrje edhe njëherë të gjithëve që të ruajmë qetësinë dhe gjakftohtësinë.