Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, ka zhvilluar sot një vizitë pune në Klinikën Universitare të Traumatologjisë, Sëmundjeve Ortopedike, Anestezisë, Reanimacionit dhe Kujdesit Intensiv dhe Urgjencës në ISHP, ku ka takuar menaxhmentin dhe punonjësit e institucionit.
Ministria e Shëndetësisë për Klinikën për Sëmundje Ortopedike ka blerë kolonën e re artroskopike të destinuar për pacientët.
– Bëhet fjalë për pajisjet më bashkëkohore që do të përmirësojnë dhe përshpejtojnë ndjeshëm punën e personelit shëndetësor. Jam i nderuar që institucioni investon në forcimin e kapaciteteve. Gjatë krizës së Covid-it, ambientet e Klinikës së Ortopedisë janë rinovuar tërësisht, me çka janë përmirësuar kushtet për punë dhe qëndrim në spital, tha ministri Mexhiti.
Në Klinikën e Sëmundjeve Ortopedike çdo vit kryhen rreth 300 ndërhyrje artroskopike në gju, rreth 60 rikonstruksione të ligamenteve, si dhe ndërhyrje artroskopike në shpatull.
– Blerja e kolonës së re artroskopike kontribuoi në rritjen e numrit të ndërhyrjeve artroskopike të kryera në baza ditore. Pjesa më e madhe e këtyre ndërhyrjeve kryhen me anestezi lokale, e cila u mundësoi pacientëve të mos shtriheshin në spital, por të trajtoheshin në baza njëditore, që nënkupton pranimin, operimin dhe daljen e pacientit brenda 24 orëve, theksoi drejtori i ISHP KU -TOARKIQE, dr. Aleksandër Trajanovski.
Blerja e pajisjeve të tilla më të sofistikuara ka rritur cilësinë e kryerjes së ndërhyrjeve artroskopike.