Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, ka vizituar sot pikën e vaksinimit në Poliklinikën “Bit-Pazar”, për t’u njohur nga afër se si po shkon procesi i vaksinimit kundër gripit sezonal.
Mexhiti u shpreh i kënaqur me reagimin e deritanishëm të qytetarëve, duke theksuar se kjo tregon se ata janë të përgjegjshëm për shëndetin e tyre dhe janë të informuar se vaksinimi kundër gripit sezonal është masa më efektive për parandalimin e gripit, i cili parandalon shfaqjen e komplikimeve më të rënda, veçanërishtë midis grupeve të rrezikut.
-Vetëm në një javë në qendrën e vaksinimit në Poliklinikën “Bit-Pazar” vaksinën kundër gripit sezonal e kanë marrë 824 persona dhe termin për vaksinim kanë caktuar 3957 qytetarë. Të dhënat në nivel shteti konfirmojnë interesimin e lartë të qytetarëve për këtë vaksinë, kështu që janë regjistruar 51.649 qytetarë dhe 10.000 qytetarë të imunizuar, informoi Mexhiti.
Ministri i Shëndetësisë Mexhiti theksoi se vaksinat sezonale janë të sigurta dhe efikase dhe luajnë një rol të rëndësishëm në reduktimin e përhapjes së sëmundjeve infektive, duke theksuar se vendimi për imunizim nënkupton kujdes të përkushtuar për shëndetin personal, por edhe për mirëqenien e gjithë shoqërisë sonë.
Është jetike që të rrisim ndërgjegjësimin për përfitimet nga vaksinimi, dhe të gjithë së bashku të përkushtohemi në angazhimin për të mbrojtur veten dhe ata që na rrethojnë. Është e rëndësishme që komuniteti ynë të jetë i mirëinformuar dhe të inkurajojmë të gjithë qytetarët, veçanërisht ata që i përkasin grupeve vulnerabël, që të përfitojnë nga mundësia e imunizimit, e cila mund të nënkuptojë shpëtimin e jetëve, tha Mexhiti.
Ministria e Shëndetësisë këtë vit ka siguruar 60 mijë vaksina të destinuara për imunizimin e kategorive të rrezikuara të qytetarëve dhe punonjësve shëndetësorë, të cilat janë pa pagesë, ndërsa Qendrat për Shëndet Publik ofrojnë vaksina edhe për përdorim komercial.
Qytetarët mund të regjistrohen për vaksinim përmes ueb-faqes vakcinacija.mk , ku do të marrin SMS-mesazh me informacion se ku mund të vijnë dhe të vaksinohen kundër gripit sezonal.